Në një kohë kur Viktor Ymerit, dajës së Edison Harizaj, të dënuar në 31 tetor 2018 me 25 vite burg, i kishin mbetur për të vuajtur dhe 3 vite burgim, nga drejtësia italiane ka mbërritur një tjetër dënim për të.

Bëhet fjalë për një vendim dënimi me 24 vite burg që Viktor Ymeri ose siç njihet ndryshe në Vlorë “Tori i Xhihanes”, e ka marë në Itali.

”Ekzekutimi i këtij dënimi është bërë nga policia gjyqësore në ambjentet e burgut të Bradasheshit, ku mësohet se Viktor Ymeri vuan dënimin me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999 në Durrës.

Këtë vrasje Ymeri e ka kryer së bashku me Gazmend Brakën (Gaxhain), i cili tashmë mban dy dënime me burgime të përjetshme. Por teksa shpresat e Gaxhait janë shuar për të rifituar lirinë, për Viktor Ymerin shpresat ishin ngjallur, pasi i kishin mbetur dhe tre vite burgim për të vuajtur.

Ymeri në këtë periudhë të vuajtjes së dënimit, kishte depozituar në gjykatën e Elbasanit një kërkesë për lirimin me kusht, pasi plotësonte kriteret për të dalë nga qelia, për shkak se pjesën dërmuese të dënimit me 25 vite burg e ka kryer.

Por shumë shpejt nga kjo kërkesë është hequr dorë. Kjo pasi në ambjentet e burgut ku qëndron Viktor Ymeri, kanë mbëritur oficerët e policisë së Shtetit, të cilët kanë ekzekutuar vendimin Italian që e dënonte Ymerin me 24 vite burgim.

Nuk dihet me saktësi se për çfarë vepre penale është dënuar në Itali Viktor Ymeri, por pak kohë më parë ky dënim është njohur nga kryetari i gjykatës së Elbasanit Sulejman Kurti, duke e dënuar Ymerin me 24 vite burgim.

Tashmë Ymeri ndodhet në proces gjykimi, pasi prokuroria ka kërkuar në gjykatë bashkimin e dy dënimeve atë të Apelit Durrës dhe atë Italian, në një vendim të vetëm, duke kërkuar që Ymeri të dënohet përfundimisht me 24 vite burgim.

Viktor Ymeri është daja i Edison Harizaj, një personazhi mjaft të njohur për sa i përket botës së krimit të Vlorë dhe jo vetëm. Edisoni, u qëllua për vdekje në Durrës me 52 plumba teksa po kthehej në Vlorë së bashku me një nga shokët e tij Genci Caci, i cili mbeti i vrarë në këtë atentat mafioz.

Vrasja e Edison Harizaj, është kryer vetëm 7 ditë pasi Viktor Ymeri kishte rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm për ezkekutimin e Arben Pajës e Ilir Xhungës, duke marë një dënim me 25 vite burg.

Në të njëjtën kohë Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim përjetë,

pasi së bashku në qershor të vitit 1999, kanë ekzekutuar me dhjetra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Fillimisht Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur.

Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend.

Për këtë ngjarje policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës, Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin.