Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj nga deputetet e Partisë Socialiste Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni për ndryshimin e Kodit Penal, për ashpërsimin e ndëshkimin për veprën penale të dhunës në familje. Nisma ligjore parashikon dënimin nga një deri në pesë vite burg të kujtdo që dhunon bashkëshorten apo bashkëshortin nga dy vjet që është aktualisht. Konkretisht, projektligji parashikon ndryshimin e nenit 130/a të Kodit Penal për veprën penale të dhunës në familje.

Ndryshimi i propozuar parashikon që rrahja dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kodi Penal në fuqi parashikon që kjo vepër penale dënohet me burgim deri në dy vjet, duke mos vendosur një kufi për dënimin më të ulët. Legjislacioni në fuqi ka krijuar hapësira që dhunuesit t’i shpëtonin ndëshkimit, pasi përcaktohet vetëm dënimi maksimal deri në dy vjet dhe jo kufiri minimal, siç parashikohet në ndryshimet e propozuara. Gjithashtu, projektligji parashikon që kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje, është kryer në mënyrë të përsëritur, personi i akuzuar dënohet nga dy deri në 10 vjet burg.

Kodi Penal në fuqi parashikon që kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje, është kryer në mënyrë të përsëritur, dënohet nga një deri në pesë vjet. Me ndryshimet që iu bënë Kodit Penal në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2013 u parashikua për herë të parë kriminalizimi i veprës penale të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Dy deputetet theksojnë se ‘Zbatimi i këtyre sanksioneve nuk ka zbutur dhunën ndaj gruas, madje në disa raste ka patur efekt të kundërt. Episodet e përsëritura të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, veçanërisht rastet kur dhuna përsëritet edhe ndaj grave që kane përfituar urdhër mbrojtje nga gjykata, deri në humbjen e jetës, janë kambanë alarmi për ndërhyrje të menjëhershme në legjislacion me mekanizma që forcojnë masat kundër dhunës’

Artikulli paraprakDAJÇ, LUHATJET E TENSIONIT RREZIKOJNË BANORËT
Artikulli tjetërSI PO E SHTREMBËROJNË SHTYLLËN KURRIZORE CELULARËT