Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda Artan Bajrmani ka dalë para komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërsa vlerësimi është bërë në tre shtylla; pasuria, figura dhe aftësia profesionale.

ILDKPKI ka dorëzuar një raport me konstatimin se ka deklarim të saktë në përputhje me ligjin, nuk ka kryer fshehje të pasurisë dhe nuk ka kryer deklarim të rremë, ndërsa nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Ndërkohë që nga hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezultoi një pasaktësi në pagesën e 1.5 mln lekëve për blerjen e një apartamenti 6,5 milionë lekë. Shuma sipas prokurorit ishte dhënë nga baxhanaku, por nuk ishte përmendur në deklaratën e vettingut.

“Komisioni ka konstatuar pasaktësi në pagesën e 1.5 mln lekëve për blerjen e një apartamenti. Këtë shumë prokurori thotë se e ka paguar baxhanaku por se përmend në deklaratën e vetingut.

Burim tjetër i të ardhurave është deklaruar marrja e huasë në vlerën prej 5 milionë lekësh dhe shitja e shtëpisë në Gramsh në vlerën e 4000 dollarëve.

Apartamenti 120 m2 u ble në vitin 2000 në shumën 6,5 milionë lekë në Golem i marrë me kredi. Kjo shumë e paguar, 1.5 mln lekë konfirmohet nga baxhanaku.

Ky shtetas ka shlyer dhe detyrime të tjera për subjektin dhe persona të tjerë të lidhur me të dhe ky shtetas ka shlyer shumën prej 2.2 mln lekësh. Ai ka burime të ardhurash për të dhuruar këtë shumë.

Për apartamentin 30 mijë euro nuk është paguar shuma prej 10 mijë eurosh. Apartamenti 55 metra katrorë është blerë në vitin 2006.

Subjekti ka pasuri të paluajtshme, pyje e kullotë, ka deklaruar për herë të parë në vitin 2014, 910 mijë metra katrorë nga kjo sipërfaqe, ka përfituar 30 mijë metra katrorë.

Vajza ka marrë hua nga shtetasi S.L. dhe ky shtetas ka pasur të ardhura të ligjshme për krijimin e pasurisë. Llogari 21 mijë lekë, apartament banimi në Tiranë i blerë nga e bija me vlerë 9.8 milionë lekë. Ka një makinë ‘Audi A3’ blerë në 2014” thotë KPK-ja.

Për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar Artan Bajrami është në rregull. “Nuk ka kontakte me botën e krimit”. Po ashtu edhe për aftësitë profesionale.

‘Rezulton se subjekti shqyrtuar 5 dosje penale në prokurorinë e përgjithshme, ka treguar korrektësi në zbatim të ligjit. Rezulton se qëndrimet e prokurorit janë mbështetur edhe nga gjykata për krime të rënda. Subjekti respekton standardin e rregullt ligjor.

Nuk ka masa disiplinore ndaj ti dhe nuk ka po ashtu as edhe një denoncim, nga 2014-2016 është vlerësuar shumë mirë” thuhet në raport.

Pas konstatimit, prokurori është shprehur se ‘lidhur me fuoristradën që thoni ju, nuk është në pronësinë time por i kompanisë ‘ansig’. Për këtë kemi pasur autorizim përdorimi, jo se është në pronësinë time.

Shpenzimet e riparimit dhe taksat po ashtu i ka paguar kjo kompani” tha ai. Vendimi për prokurorin do të jepet në datë 14 shkurt. Artan Bajrmani është prokurori që kishte dosjen e Dritan Dajtit në Apelin e Krimeve të Rënda.

I pyetur nga mediat pas përfundimit të seancës nëse do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë ai u shpreh ‘Po, patjetër’. Heqja e dënimit përjetë për Dritan Dajtin nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka shkaktuar reagim të fortë të opinionit dhe politikës,

ndërsa dje zyrtarisht Ministria e Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor të shkarkojë pesë gjyqtarët që rrëzuan burgun përjetë për Dritan Dajtin dhe pranuan gjykimin e shkurtuar duke e dënuar përfundimisht me 25 vite burg.