Kanë nisur dje zyrtarisht lëvizjet për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë së re në Shqipëri, në të njëjtën kohë edhe makthi më i madh për politikanët, zyrtarët dhe ish-zyrtarët e korruptuar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, gjatë mbledhjes së djeshme, ka caktuar 15 vende të lira në Prokurorinë e Posaçme, e projektuar nga ndërkombëtarët dhe shqiptarët për të goditur krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet që nga viti 1991 e deri më sot.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën drejtimin e Gent Ibrahimit, ka vendosur një afat 1-mujor për të aplikuar çdo prokuror që ka ambicie për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Neni 12 i ligjit për SPAK-un parashikon që Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sipas Kushtetutës, prokurorë e Prokurorisë së Posaçme kanë një mandat 9-vjeçar dhe nuk kanë të drejtë të riemërohen.

Prokuroria e Posaçme do të zëvendësojë Prokurorinë Aktuale për Krimet e Rënda. Dosjet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme, ndërsa kjo e fundit do të vendoset në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Kandidatët dhe kushtet

Prokurorët aktualë të Prokurorisë për Krimet e Rënda mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, por gara është hapur edhe për prokurorët e tjerë.

Ndërkaq, për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, strukturës që ka trembur politikanët dhe çdo funksionar apo ish-funksionar të korruptuar, prokurorët duhet të plotësojnë dy kushte.

Kushti i parë konsiston në kalimin me sukses të kontrollit të të pasurisë dhe të figurës. Sipas ligjit për SPAK-un kandidati, bashkë me kërkesën për aplikim,

plotëson dhe dorëzon deklaratat e kontrollit të pasurive dhe të konfliktit të interesit pranë institucioneve përkatëse të emërtesës. Gjithashtu, kandidati plotëson deklaratën e kontrollit të figurës dhe e dorëzon atë tek institucionet e emërtesës.

Kushti i dytë dhe i tretë

Kushti i dytë konsiston në dhënien e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën kandidati plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim.

Kushti i i tretë parashikon që prokuroi kandidat, bashkë me familjarët dhe të afërmit e tyre, duhet të japin të gjithë pëlqimin, përmes një deklarate të firmosur, për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.

Këto dy kushte reflektohen në nenin 57 të ligjit për SPAK-un si dhe në nenet 162 dhe 163 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kandidatët, pra duhet të heqin dorë me vullnetin e tyre për privatësi.

Sipas nenit 48 të ligjit për SPAK-un, kandidatët prokurorë të SPAK-ut, bien dakord të përdorin vetëm ato numra telefoni dhe adresa poste elektronike.

Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik. Numri i telefonit dhe adresa e postës elektronike i nënshtrohen kontrollit periodik nga oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Komisioni i verifikimit

Gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit krijojnë Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të bërë verifikimin e kushteve të sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit.

Komisioni përbëhet nga dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, të zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit; një gjyqtar të gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i zgjedhur me short.

Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit; një punonjës i seksionit të hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i caktuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kompetencat

Në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale është çdo akuzë penale kundër Presidentit të Republikës,

Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë,

deputetëve, kryetarëve të bashkive, zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj,

si dhe akuzat kundër të gjithë ish-funksionarëve të sipërpërmendur. Pra të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartpërmendur, të dyshuar për çdo vepër penale, do të merren nën hetim nga SPAK-u. Po ashtu, në kompetencë të SPAK-ut janë edhe 40 vepra penale të kryera nga çdo shtetas i mundshëm.

Rikthimi, shtyhet kërkesa e Çelës dhe Hajdarmatajt

Është shtyrë për 1 javë dhënia e vendimit për kërkesën e dy prokurorëve, Olsi Çela dhe Besim Hajdarmataj, që kërkojnë rikthimin tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, tha se kryeprokurorja Arta Marku ka sjellë një material shtesë për këtë çështje. Për rrjedhojë, Ibrahimi kërkoi edhe një javë kohë për të shqyrtuar materialin e kryeprokurores Arta Marku mbi shkaqet dhe rrethanat e transferimit të dy prokurorëve.

“Çështja e dy prokurorëve që të rikthehen tek Krimet e Rënda. Kryeprokurorja Arta Marku ka sjellë një material shtesë për këtë çështje dhe propozoj 1 javë afat për t’u shqyrtuar ky material që më pas të merret një vendim”, u shpreh Ibrahimi.

Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj pas përplasjes për dosjen Shullazi u transferuan në Berat e Pogradec, ndërsa pas padisë në gjykatë ata fituan pasi gjykata shpalli të paligjshëm urdhërat e Arta Markut.

Vendimi i dhënë për Besim Hajdarmataj është dhënë nga gjyqtari Avni Sejdi, ndërsa gjyqtarja Afërdita Maho ka dhënë vendimin për Olsian Çelën.

Ndërsa për procesin e nisur nga prokurorja Sonila Muhametaj ende nuk ka një vendim. Këta prokuror u transferuan pasi u konsideruan “rebelët” që refuzuan të marrin përsipër të përfaqësojnë prokurorinë në procesin ndaj Emiliano Shullazit.

Mbledhja e KLP, nuk emërohen përkohësisht 6 magjistratët

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është vendosur që 6 magjistratët e paemëruar në detyrë të mos emërohen përkohësisht.

KLP vendosi që meqenëse këta magjistratë marrin pagesë, ata mund të kontribuojnë pranë KLP për të ndihmuar në krijimin e administratës.

Ndërkaq, ngritja e KLP do të sjellë rihapjen e garës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e rikonfirmim të kryeprokurores aktuale të përkohshme, Arta Marku, për një mandat të plotë 7-vjeçar.

Neni 35 i ligjit Nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas një procedure përzgjedhëse, i paraqet Kuvendit tre kandidatët për kryeprokuror.

Kuvendi ka afat 30 ditë për të zgjedhur kryeprokurorin me 3/5 e votave. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh dot brenda këtij afati, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

PUBLICITET