Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 1.6 vite burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.Thanza akuzohet për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve parashikuar nga neni 190/1 të Kodit Penal.

Gjithashtu Prokuroria kërkon të deklarohet i falsifikuar formulari i vetëdeklarimit i datës 25.04.2016, plotësuar nga Adrian Thanza.

Seanca e parë gjyqësore për ish-gjyqtarin e cila u shty për mungesë të të pandehurit u mbajt më 10 maj, ndërsa seanca e radhës ku pritet që të thotë fjalën dhe pala mbrojtëse do të mbahet me 31 maj.

Thanza u shkarkua nga KPK në 17 korrik 2018, pasi nuk deklaroi një dënim që kishte marrë në Itali në 1999. Dhe më 18 prill, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi përfundimisht nga detyra.

Sipas prokurorisë “i pandehuri ka pasur detyrime që të njoftojë dhe të vërë në dijeni organin që ka bërë emërimin e tij në funksionin që kryente dhe më pas është ky organ që do të çmonte nëse duhet të vazhdonte i pandehuri detyrën apo jo.”

“Gjykata në caktimin e llojit dhe masës së dënimit duhet të mbajë parasysh rrezikshmërinë veprës penale të autorit të saj, shkallën e saj. I pandehuri ka pasur funksionin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Vendimi i mësipërm i gjykatës italiane nuk kërkon njohuri juridike për të kuptuar se është vendim dënimi dhe psikologjikisht kuptohet se një vendim me burg është një vendim dënimi.

I pandehuri në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ka qenë i ndërgjegjshëm kur ka plotësuar formularin dhe ka fshehur dënimin, atë që përpiqet edhe në këtë gjykim që ta mohojë.

Vepra penale e falsifikimit të formularit të kryer prej një gjyqtari të Gjykatës së Lartë ka cenuar thellësisht besimin e publikut në organet e drejtësisë, besim i cili i kërkohet të kthehet me reformën aktuale të drejtësisë,”-shkruhet në pretencën e firmosur nga prokuroi Gentian Habazaj.

Denimi në Itali – Thanza ishte dënuar në Itali për vjedhje me dhunë por kjo nuk e ka penguar të jetë në piramidën më të lartë të sistemit të drejtësisë; Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese apo dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Ngjarja ndodhi në vitin 1999, ku Thanza madje ishte dhe gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, por ky informacion që do ti kushtonte karrierën as nuk është deklaruar nga vetë gjyqtari, madje nuk është konstatuar nga asnjë institucion shqiptar që kryente verifikimin për pastërtinë e figurës dhe dekriminalizimin.

Madje kjo gjë do të vazhdonte të qëndronte e fshehur në rast se ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk do ta kishin zbuluar dhe kjo e dhënë në kufijtë e një skandali nuk do të deklarohej në seancën dëgjimore të 10 korrikut për anëtarin e Gjykatës së Lartë.

Vetë gjyqtari nuk e mohoi faktin e ekzistencës së këtij dënimi për të cilin tha se ishte vepër që nuk e kishte konsumuar ai por një familjar i tij por që ai e kishte marrë përsipër për humanizëm.

Ai deklaroi para trupës së KPK se pranoi dënimin për të shpëtuar jetën e nipit të tij.Thanza deklaroi se e ka marrë përsipër një dënim të kunatës e cila kishte kryer një vjedhje vetëm që nipi i tij 9 vjeçar të kurohej në Itali.

Artikulli paraprakARRESTOHET SHQIPTARI, AKUZOHET PËR VJEDHJEN E 25 BANESAVE NË GJERMANI
Artikulli tjetërU ARRATIS NGA GJYKATA E VLORËS, ARRESTOHET NË GREQI MIKEL KASA