Ish Presidenti, Bujar Nishani ka treguar se si do të vepronte sa i përket propozimit për të dytën herë nga Kryeministri Rama të Sandër Lleshajt për postin e Ministrit të Brendshëm.

Z. Nishani tha se ai gjen dy argumenta që e pengojnë z. Lleshaj të marr këtë pozicion.

“Zotëria është ende ushtarak. Vendosja e tij në postin e zv. Ministrit të Brendshëm, e ka ekspozuar këtë njeri si një person që nuk ka respekt për ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Ai prej vitesh ka shkelur ligjin, që nga 2013-ta kur ka hyrë në zyrën e këshilltarit të kryeministrit. Edhe pse vendimi I Gjykatës është marrë në dhjetor 2017, z. Lleshaj e ka pranuar shpërblimin financiar si të kishte qenë një ushtarak aktivë.

Është përgjegjësi ligjore administrative. Pastaj duhet vërtetuar, nëse vërtet i ka marrë dy paga publike të shtetit shqiptar, që nga dita që ka dalë në lirimin, ka shpërdoruar detyrën me dëm financiar, ç’ka e ngarkon me përgjegjësi penale.

Nëse do të dekretohet për të dalë në lirim dhe nëse ezaurohet ky moment, po të isha president do të kërkoja një interpretim në gjykatën kushtetuese për këto 2 çështje.

Do të prisja vendimin dhe po të mos I konsideronte si elemente pengues gjykata kushtetuese, atëherë do ta dekretoja”, u shpreh Nishani në RTSH.

Por edhe varianti I propozuar nga ish Presidenti Nishani është I vështirë të marrë formë në realitet, pasi prej muajsh Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit.

Tejzgjatja e ngritjes sw institucioneve të reja të drejtësisë e bën të vështirë të parashikohet se kur kjo Gjykatë do të rikthehet në funksion.

PUBLICITET