80 është numri i personave të shoqëruar nga policia për dhunën që shpërtheu dje në protestën e opozitës së bashkuar para kryeministrisë.

Sic mësohet nga uniformat blu janë lëshuar 15 urdhër – arreste, 7 prej të cilave janë ekzekutuar. Sipas burimeve të shoqëruar janë dy protestues nga Shkodra ndërsa është kërkuar për t’u shoqëruar edhe shefi i policisë bashkiake të Shkodrës Anton Hasanpapaj

i cili pretendon se nuk kryer akte dhune por përkundrazi ka mbrojtur policët që askush të mos i godasë ata. Hasanpapaj reagoi edhe në rrjetet sociale.

Mes protestuesve është shoqëruar edhe, Florenc Hoxha, ish-kreu i Policisë Bashkiake të Tiranës.

Ai u kap edhe nga kamerat teksa ishte i pranishëm në protestën e opozitës. Hoxha është filmuar edhe në shkallët e kryeministrisë pas çarjes së kordonit të forcave të policisë.

Protesta e nisur me lule nga të rinjtë e Partisë Demokratike, përshkallëzoi në dhunë, që çoi në dëmtime të konsiderueshme të derës hyrëse në kryeministri dhe shkatërrimin total të instalacionit të kërpudhës që ndodhet në lulishten e godinës.

Protestuesit çanë disa herë kordonin e policisë, por nga ana e liderëve politikë dhuna u quajt e nxitur nga ana e qeverisë.. Për dhunën në protestë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për akuzën e “shkatërrimit të pronës publike”, “goditjes ndaj efektivëve të policisë” dhe kudnërshtimit të forcave të rendit”.

Bilanci i dhunës ishte 19 të lënduar, mes tyre efektivë të policisë, përfaqësues të mediave dhe protestues.

Protesta u mbyll me lajmërimin e kryedemokratit Lulzim Basha se tubimi i radhës do të jetë të enjten, para Kuvendit, ndërsa e gjitha u quajt si një kapitullim i kryeministrit Rama i cili në të njëjtën kohë që mbahej protesta,

dje ndodhej në qytetin e Vlorës në një diskutim me qytetarët në Sheshin “Flamuri” për zgjedhjet vendore.