Përmes një emaili drejtuar shtetasve amerikanë në Shqipëri, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bën thirrje të shmangin vendet ku nesër opozita do organizojë protestën e saj. Në njoftimin e ambasadës amerikane u kërkohet shtetasve amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri të shmangin qëndrimin përpara Kryeministrisë, sheshit “Skënderbej” dhe sheshit “Nënë Tereza”.

Gjithashtu, ambasada amerikane kërkon nga shtetasit e saj që të mbajnë një profil të ulët gjatë tubimit ditën e shtunë. “Një protestë është planifikuar të zhvillohet në 27 janar 2018, e cila nis në orën 10:00. Protesta zhvillohet kundër qeverisë shqiptare. Personeli i ambasadës amerikane dhe anëtarët e familjeve janë të urdhëruar të shmangin këto vende ku do zhvillohet protesta:

– Shmangni Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, veçanërisht selinë e qeverisë, sheshin Skënderbej, sheshin Nënë Tereza

– Të jeni të vetëdijshëm

– Monitoroni mediat për informacionet e fundit

– Mbani profil të ulët”.