Dy ditë para tubimit të paralajmëruar përpara Kryeministrisë, Partia Demokratike akuzon se Policia e Tiranës ka refuzuar lejen për protestën e 16 shkurtit.

Partia Demokratike kërkon që protesta të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para Kryeministrisë, lulishtja tek Piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të Kryeministrisë.

Por, sipas selisë blu, policia e Tiranës ka refuzuar lejen në koordinatat e kërkuara nga PD-ja me argumentin se hapësira ndërmjet Kryeministrisë, te rruga “Ismail Qemali” do të jetë territor ku do të dislokohen shërbimet e policisë dhe të Gradës së Republikës.

Për PD-në, argumenti i policisë është i pabazuar në ligj dhe i pashpjegueshëm, pasi policia sipas tyre nuk mund të caktojë vendet ku do të bëhet protesta.

Policia e Shtetit pak ditë më parë shprehu shqetësimin se në protestë mund të përfshihen individë me precedent penal që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, ndërsa SHBA, BE-ja dhe përfaqësi të tjera diplomatike në Shqipëri i kanë bërë thirrje opozitës që të shmanget dhuna.