Protesta e banorëve të “Unazës së Re” përpara Parlamentit, ka degjeneruar në dhunë. Zv/ drejtori i Rendit, Dhimitraq Ziu, 11 efektivë policie dhe 3 qytetarë janë plagosur, për pasojë të përplasjeve të vazhdueshme të banorëve të ‘Unazës së Re’ me efektivët e Policisë.

Ndonëse qeveria njoftoi se banesat do të prishen vetëm pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet, banorët e “Unazës së Re” janë shfaqur ende të revoltuar.

Mësohet se një nga të plagosurat është një punonjëse policie të cilës kapsolla i ka prere 4 gishtat e njërës dorë, ndërsa një tjetër efektiv ka humbur dëgjimin nga njëri vesh.

Zv/ ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mbërriti në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të parë më nga afër gjendjen shëndetësore të punonjësve të Policisë dhe qytetarëve që janë lënduar nga protesta e banorëve të ‘Unazës së Re’ përpara Kuvendit.

Pasi ka takuar fillimisht efektivët, ai ka dhënë një deklaratë për mediat, ku është shprehur me keqardhje për situatën në fjalë.

Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësueve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit.