Protestuesit e grumbulluar në pika të ndryshme të kryeqytetit kanë nisur marshimin në drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për të mbërritur para godinës së kryeministrisë. Me pankarta në duar dhe me bubuzhela, protestuesit janë nisur në drejtim të Kryeministrisë.

Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.

Planet e masave të marra nga policia për sot janë të njëjta me ato të protestës së 16 shkurtit, ndërsa ka refuzuar kërkesën e PD për të protestuar për 48 orë dhe ka dhenë leje deri në mesnatë. Ashtu si në 16 shkurt, PD kërkonte që leja për tubim që nistë në orën 11:00, por të ishte pa një afat mbarimi të përcaktuar. Policia e ka refuzuar lejen me argumentin se duhet përcaktuar orari i mbylljes së tubimit.

Në kërkesën e saj, PD njofton policinë se protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para kryeministrisë, Lulishtja tek piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të kryeministrisë, rrugë në të cilën mjetet lëvizin nga RTSH drejt bulevardit.

Në terren do të angazhohen 1600 efektivë. Për të shmangur dëmtimin e godinës së Kryeministrisë si dhe hyrjen e protestuesve brenda, godina e Kryeministrisë është veshur me llamarina në ambientet e jashtme.

Artikulli paraprakOPOZITA PROTESTON POSHTË ZYRËS, RAMA NË BERAT TAKIM ME OPERATORËT TURISTIKË
Artikulli tjetërPROTESTA E OPOZITËS/ RAMA I PRERË: QEVERIA NUK PREKET DERI NË 2021