Një ditë pas protestës së opozitës, e dyta brenda një harku kohor shumë të shkurtër, mësohet se janë arrestuar 7 persona, e ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 15 të tjerë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të tubimit si para Kryeministrisë dhe më pas pranë tek institucionet e tjera, kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën e parë pranë spitalit të Traumës dhe SQU.

Lëndimi i tyre ka ardhur si pasojë e goditjeve, kundërshtimeve dhe përdorimit të lëndëve piroteknike apo sende të forta nga ana e protestuesve.

Burime për Report Tv bëjnë me dije për gazetarin Arsen Rusta se këta persona janë ato kanë thyer xhamat tek drejtoria e Policisë së Tiranës dhe ajo e Shtetit.

Pas analizimit të pamjeve filmike, nga kamerat e sigurisë përreth apo nga mediet, uniformat blu bëjnë me dije se mbi 7 të arrestuarit dhe të proceduarit rëndojnë akuzat për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Ndërkohë dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Opozita e bashkuar, për tre orë me radhë marshuan ditën e djeshme tek Kryeministria, Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Policia e Tiranës, me simbolikën e institucioneve që janë kapur nga krimi.

Ndryshe nga protesta e 11 majit, ajo e ditës së djeshme nuk u karakterizua nga akte të dhunshme. Pas thirrjeve të ndërkombëtarëve, drejtuar njëzëri drejtpërdrejtë dy liderëve kryesorë të PS-LSI, Basha dhe Kryemadhi për të dënuar publikisht dhunën, dje pati vetëm ndalesa të heshtura para këtyre institucioneve.

Megjithatë nuk munguan disa kapsollë e flakadanë të hedhura ndaj institucioneve. Vetëm tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati një efektiv të dëmtuar nga hedhja e fishekzjarrëve dhe kapsollave.

Ndërsa tek Drejtoria e Policise së Tiranës u hodh vetëm një bombë molotov.

Artikulli paraprakSTAR TREND – 14.05.2019
Artikulli tjetërPUSHOHET ÇËSHTJA NDAJ ADMIR MURATAJ, PROKURORIA DORËZON CERTIFIKATËN E VDEKJES