Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se secili nga politikanët e opozitës që ndodhet sot në protestë përfaqëson familjet shqiptare dhe shqiptarët që iu dhimbsen fëmijët, shtëpia dhe vendi.

Ajo deklaroi se do jenë para parlamentit sa herë të mblidhen shushunjat.
“Ata mendojnë që ne frikësohemi por nuk kanë bërë një llogari, sot këtu asnjë nga ne nuk përfaqëson partitë politike. Secili nga ne përfaqëson një familje shqiptare. Secili nga ne përfaqëson dy prindër, përfaqëson atë shqiptar që i dhimbset fëmijë, shtëpia dhe vendi i tij. Sot ne jemi këtu dhe do të jemi gjithmonë sa herë shushunjat të mblidhen ne do të jemi këtu. Nuk do lodhemi asnjëherë”, deklaroi Kryemadhi.

Sipas saj, kryeministri Edi Rama ka dështuar dhe e akuzoi se ka helmuar qytetarët.
“Sot dua t’i them diçka, Rama ka dështuar. Dështoi me politikat e tij. Rama dështoi me vendet e reja të punës. Rama dështoi me taksat, Rama dështoi me policinë. Turp më të madh nuk ka kur policia pranon vetë se ka shkelur ligjin dhe ka sulmuar qytetarët e saj.
Të helmosh motrat e vëllezërit e tu ka dy arsye ose je kriminel e vrasës ose je i çmendur. ky njeri i ka të dyja. Ky njeri ka një problem shumë të madh, nuk e do vendin e tij dhe i urren qytetarët e tij. Ne nuk e urrejmë Edi Ramën, na dhimbset”, tha Kryemadhi.