Banorët e Astirit kanë rinisur sot protestën në segmentin e Unazës së Re kundër projektit të Unazës së Madhe. Banorët kanë hedhur kapsolla dhe tymuese në rrugë.

Ditën e djeshme, banorët kanë bllokuar rrugën në këtë segment si edhe kanë marshuar për disa minuta drejt ish-sheshit Shqiponja.

Kjo është dita e 16-të e protestës së tyre, ndërkohë që ditën e sotme ka reaguar sërish edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për këtë çështje.

Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një deklarate u ka bërë një thirrje të gjithë banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe nuk kanë marrë ende kontakt me ARRSH-në, të paraqiten pranë institucionit me të gjitha dokumentet përkatëse.

Banorët e Astirit kanë hyrë sot në ditën e 15-të të protestës së tyre. Banorët kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e tregut për banesat e tyre. Më datë 15 nëntor, ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës, duke hedhur molotov, tymuese dhe duke tentuar të futen me forcë brenda bashkisë.

Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Banorët e “Unazës së Re” po mbështeten që nga dita e parë e protestës nga e tërë Partia Demokratike. Kjo e fundit e ka cilësuar projektin e “Unazës së Madhe” një mashtrim, që nuk ka aspak transparencë ligjore. Bashkia Tiranë, nga ana tjetër, sqaron se banorët të cilët kanë shtëpi të palegalizuara do të mbështeten nga një bonus qiraje me afat 3-vjecar.

Për projektin e “Unazës së Madhe” parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë me vërtetime pronësie. Mes banesave që janë prekur nga plani dhe pritet që të prishen është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës,bashkëshortes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.

Artikulli paraprakGODET ME THIKË NJË VAJZË DHE BABANË E SAJ, ARRESTOHET 32-VJEÇARI
Artikulli tjetërLËNDË PLASËSE POSHTË MAKINËS, KREU I HEKURUDHAVE: S’KA LIDHJE ME MUA, NUK KAM KONFLIKTE