Në ditën e 16-të, protesta e banorëve të Astirit kundër projektit të “Unazës së Madhe” i cili prek banesat e tyre, ka nisur me përplasje me policinë.

Siç kanë bërë çdo ditë, edhe sot banorët kanë bllokuar rrugën, duke krijuar kaos në trafik. Policia e ndihmuar edhe nga FNSH ndërhyri për të liruar rrugën, por ka hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të largohen.

Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat për kundërshtim të forcave të rendit. Banorët tentuan gjithashtu të shkatërrojnë kantierin e firmës private që do ndërtojë “Unazën e Madhe”.

Protestuesit nuk kanë kursyer as kazanët e mbetjeve, të cilëve iu kanë vënë zjarri si dhe kanë hedhur kapsolla dhe tymuese në rrugë. Në mbështetje të tyre kanë shkuar sërish deputetët demokratë si Klevis Balliu dhe Flamur Noka.

Ndërkohë, ditën e sotme ka reaguar sërish edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për këtë çështje. Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një deklarate u ka bërë një thirrje të gjithë banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe nuk kanë marrë ende kontakt me ARRSH-në, të paraqiten pranë institucionit me të gjitha dokumentet përkatëse.

Banorët thonë se ditën e sotme në banesat e tyre ka shkuar Policia e cila ka kërkuar sipas tyre që të heqin makinat nga oborret pasi pritet që të nisë shembja. Lidhur me thirrjen që Autoriteti Rrugor Shqiptar iu ka bërë sot që të shkojnë dhe të sqarohen, banorët thonë se nuk kanë çfarë të sqarojnë dhe se kërkojnë dëmshpërblim.

Artikulli paraprakLËNDË PLASËSE POSHTË MAKINËS, KREU I HEKURUDHAVE: S’KA LIDHJE ME MUA, NUK KAM KONFLIKTE
Artikulli tjetërAKSIDENT I RËNDË NË GREQI, VDES SHQIPTARI