Jemi të sigurt që edhe tek ju, asnjë darkë, festë, martesë, aheng nuk kalon pa dolli apo pa i cakërruar gota. A keni menduar ndonjëherë se kush e ka shpikur cakërrimin e gotave dhe çfarë do të thotë kjo në të vërtetë?

Një nga legjendat thotë se në mesjetë njerëzit i kanë cakërruar gotat që t’i dëbojnë demonët. Kjo histori është e lidhur me kambanat e kishave, tingujt e të cilave besohej se i frikësonin dhe i dëbonin të gjitha forcat e errëta.Megjithatë, një tjetër histori më realiste është e njohur për këtë zakon. Në fakt, në kështjellat mesjetare në Evropë armiqtë “eliminoheshin” duke derdhur helm në verë. Pasi që ishte dëgjuar për këtë “sekret”, për ta fituar besimin e mysafirëve, nikoqirët në festa të mëdha i godisnin fort gotat e tyre me gotat e mysafirëve që mos t’iu ngatërroheshin pijet, dhe të ftuarit të ishin të sigurt që në verën e tyre nuk fshihej ndonjë helm.Nga këtu rrjedh edhe zakoni që nikoqiri gjithmonë i pari ta shijojë verën përpara se t’ua ofrojë atë mysafirëve.Në fiset e vjetra gjermane i cakërronin gotat para çdo pije, në mënyrë që t’i trembnin shpirtrat, ndërsa në këtë besonin edhe vendësit e Kongos. Kalorësit e fiseve nomade i dekoronin gotat e tyre me kambana dhe mjete të tjera që bënin zhurmë për të mbajtur të ligën larg njerëzve. Në Tibet dhe në dinastinë Shang, ishte gjithashtu traditë që para pijes të “bëhej zhurmë” duke cakërruar për fat dhe prosperitet.Në Greqinë e lashtë tingulli gjithashtu luante një rol të rëndësishëm në pirjen e verës, por vetëm sepse grekët besonin se vera sjell bukuri dhe spiritualitet për të gjitha shqisat, kështu që përveç shijes, ngjyrës dhe erës, cakërrimi i gotave sillte edhe kënaqësi për veshët.Antropologët thonë se sumerët e lashtë kishin shumë rituale për pijet, por cakërrimi i gotave nuk përmendet askund në mënyrë specifike.Sot cakërrimi i gotave zakonisht do të thotë gëzim dhe lumturi, dhe në disa vende është edhe shprehje e respektit. Japonezët në darka të relaksuara me miqtë kur cakërrojnë, gotat i vendosin në të njëjtin nivel, ndërsa në darkat e punës zyrtari i cili e cakërron me shefin, si një shenjë respekti, gotën e tij e vendos gjithmonë pak më e ulët.

Gëzuar!