Interi bën gati merkaton në dalje dhe veç Lautaro Martinezit, që po lakohet shumë ditët e fundit për një kalim të mundshëm te Barcelona, është edhe çështja e Mauro Ikardit për t’u mbyllur. PSG do të kërkojë të mbajë shënuesin e 20 golave në këtë edicion, por jo për shifrën e menduar fillimisht. Për këtë arsye, i ka paraqitur një ofertë të parë klubit të kinezit Zhang.

Oferta është ndjeshëm më e ulët se 70 milionë eurot e parashikuara fillimisht në marrëveshjen e verës së shkuar. Ndërprerja e kampionateve prej pandemisë së koronavirusit ka patur efekte të rënda ekonomike për të gjitha shoqëritë, ndaj francezët kanë ndërmend që të paraqesin në tavolinën e Marotës një ofertë ndryshe: 50 milionë fikse si dhe 10 të tjera në bonuse jo lehtësisht të arritshme.

Kjo lëvizje vjen si pasojë e kohës që po mbaron pasi më 31 maj skadon opsioni i blerjes nga ana e francezëve, që kërkojnë ta mbyllin këtë marrëveshje sa më shpejt pasi të kenë ribiseduar shifrat me Interin dhe me lojtarin. Tani topin e ka Interi, që duhet të pranojë të shesë Ikardin me shifra më të ulëta, apo ta kthejë në “Appiano Gentile” duke ditur problemet e mëdha të vitit të shkuar.