Të gjithë ata që nuk e kanë ndarë ende mendjen se ku do t’i kalojnë ditët e pushimit, qyteti i Pukës është një destinacion i cili nuk do të zhgënjejë askend. Ajri i pastër, relieve malor, ushqimet bio dhe natyra e bukur janë zgjedhja e duhur për t’ju shmangur ditëve të nxehta. Në këto ditë kur pandemia vijon të krijojë probleme kryetari i bashkisë Pukë Gjon Gjonaj thotë se çmimet atje janë më të ulëta se zakonisht.

Puka ofron një sërë burimesh dhe mundësish të ndryshme shprehet kryebashkiaku Gjonaj duke bërë apel se qytetarët tashmë duhet të eksplorojnë vendet e bukura që ka Shqipëria.

Tashmë të gjithë ata shtetas shqiptar që më përpara kanë shkuar në Malin e Zi, Greqi, Turqi apo vende të tjera për pushime kanë mundësi që të vizitojnë qytetet e Shqipërisë si Puka ku alternativat janë të shumta.

Puka është një vend malor me shtigje ta panjohura dhe një natyrë tërësisht të virgjër që ende nuk njihet nga një pjesë e mirë e shqiptarëve. Ditët e pandemisë ku kufiri është i mbyllur me disa shtete janë një mundësi e mirë për të rikthyer vëmendjen tek këto zona turistike të cilat për vite me radhë nuk kanë qenë në fokusin e pushuesve vendas.