Për herë të parë që kur kanë nisur zjarret në qarkun Shkodër në këto 10 ditët e fundit policia ka vënë në pranga një autor të dyshuar. Një 57 vjeçar është arrestuar nga policia e Pukës pasi dyshohet se i vuri zjarrin një zone të të pyllëzuar duke rrezikuar dhe banesat përreth. Policia Vendore e Shkodrës bën të ditur se ka arrestuar në flagrancë 57-vjeçarin me inicialet K.G.

Në këtë njoftim thuhet se nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë, pasi është marrë njoftim në sallën e komandimit se kishte rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore, në fshatin Lumardhë, Bashkia Fushë Arrëz, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe si rezultat i veprimeve të shpejta dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi ne flagrancë i shtetasit K. G., 57 vjeç, banues në fshatin Lumardhë, Bashkia Fushë Arrëz.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje pylli, në fshatin Lumardhë, Bashkia Fushë Arrëz dhe për pasojë zjarri ka përfshirë edhe banesën e shtetasit A. T. 48 vjeç, banues në atë fshat të Lumardhës në Fushë Arrëz. Autori i dyshuar K.G tashmë ka mbi super veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër nga ana e saj apelon për banorët e zonave malore dhe për barinjtë që të tregojnë kujdes dhe të mos tentojnë të vënë zjarr në pyje e kullota, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 129 apo në Komisariatin Dixhital çdo tentativë të zjarrvënies dhe çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Ndërkohë sa i përket situatës së zjarreve vazhdon që të jetë një problem në mbarë vendin. Në Shkodër gjatë natës së kaluar një vatër problematike ka qenë në Postribë ndërsa banorët bashkë me instance të tjera janë munduar me të gjitha mënyrat që zjarri të mos rrezikojë banesat. Po ashtu vijon zjarri tek Maja e Zezë në Velipojë dhe pjesën e Shëngjinit. Nga flakët këto ditë janë përfshirë edhe pyjet në majat e larta në Malësinë e Madhe apo edhe disa njësi të tjera administrative.