NJOFTON PËRMES FACEBOOK, STRUGAJ: KAM PROBLEME SHËNDETËSORE. Rrustem Strugaj dorëhiqet si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e re të Pukës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Strugaj u zyrtarizua nga deputetja e PS-së për Qarkun Shkodër Mimoza Hafizi në një dalje të saj publike.

Edhe më përpara zyrtarizimit të kandidaturës së tij nga e majta dhe miratimit nga kryeministri Edi Rama, Rrustem Strugaj do të deklaronte se është i gatshëm për të kandiduar dhe se është një prej emrave të mundshëm nga kampi i majtë për Bashkinë e re të Pukës. Gjithçka shkoi mirë dhe ish-kryebashkiaku i Pukës në dy mandate u konfirmua zyrtarisht. Sot Strugaj ka çuditur të gjithë teksa përmes llogarisë së tij në rrjetin social facebook bën të ditur se si rezultat i disa shqetësimeve shëndetësore prej disa ditësh po kryen disa analiza në ambjentet e QSUT. “Nga konsultat që kam bërë, mjekët më kanë rekomanduar disa kohë më tepër pushim. Duke parë gjendjen time fizike, i kam paraqitur kryetarit të PS, Edi Rama, dorëheqjen time nga detyra e kandidatit për kryetarin e Bashkisë Pukë në zgjedhjet e 21 qershorit”- shkruan Strugaj në adresën e tij në facebook. Në fjalim kandidati i dorëhequr tashmë shpreh keqardhjen edhe e cilëson një vendim të sforcuar. “Duke shprehur keqardhjen për këtë vendim të sforcuar, shpreh falenderimet e mia më të përzemërta për të gjithë ata që besuan dhe punuan këtë kohë pas nominimit tim si kandidat për kryetarin e bashkisë Pukë në zgjedhjet e 21 Qershorit. Një falenderim i veçantë shkon për kryetarin e PS Edi Rama. E siguroj kryetarin e PS se: me t’u përmirësuar gjendja ime shëndetësore do vë në dispozicion gjithë mundësitë dhe energjitë e mia në funksion të fitores së 21 Qershorit”-përfundon njoftimin e dorëheqjes Rrustem Strugaj. Pas kësaj dorëhqje surprizë duhet pritur se cili do të jetë kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Pukës dhe nëse vërtetë Strugaj është dorëhequr për arsyet e paraqitura apo ka diçka tjetër në këtë mes.

Artikulli paraprakPD, NË VAU DEJËS FITORJA E SIGURTË
Artikulli tjetërGJYKATA ADMINISTRATIVE, “RRËZON” INFERMIERËT, TESTI DO BËHET