Zonat e veriut kryesisht por edhe kushdo tjetër duhet që të eleminojnë takimet mes tyre apo përqafimet me njëri-tjetrin në këtë kohë të pandemisë COVID-19. Kryetari i bashkisë Pukë Gjon Gjonaj thotë se ky ves i malsorëve për të dhënë me çdo kusht dorën e për t’u përqafuar si një shenjë respekti e vlerësimi në këto ditë të koronavirusit mund të kthehet në një dëm të madh për shkak të mundësisë më të madhe të përhapjes së COVID-19.

Kryebashkiaku i Pukës flet edhe për situatën e bizneseve atje duke thënë se bashkia ka ofruar të gjitha lehtësirat e mundshme në favor të bizneseve në këtë situatë të COVID-19.

Deri më tani që nga fillimi i pandemisë nuk ka asnjë biznes që ka shpallur falimentin edhe pse shumë prej tyre kanë qenë ose janë në vështirësi.

Puka është një prej rretheve të prekura nga COVID-19 pavarësisht masave për parandalimin e përhapjes apo edhe thirrjeve për ndërgjegjësim të qytetarëve. Institucionet e shëndetësisë atje vijojnë punën për gjurmimin e çdo rasti.