Strukturat e reja në 61 bashkitë e vendit do të jenë provizore, funksionale deri në dhjetor të këtij viti.Ministri i Çështjeve Vendore nëpërmjet Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale ka shpërndarë një shkresë për 61 kryebashkiakët e rinj duke i shpjeguar mënyrën e emërimeve në administratën e re, duke i kërkuar që skema e aplikimit të jetë provizore, jo përfundimtare. Kjo skemë do të jetë funksionale deri në miratimin e strukturave përfundimtare në çdo bashki apo dhe njësive administrative që do të nisin punën duke filluar nga muaji janar i vitit 2016.

  Bashkitë në vend do të operojnë me ato provizore, që sipas projektvendimit të Ministrisë së Çështjeve Vendore drejtuar çdo drejtuesi të bashkisë do të jetë edhe një formë testimi për strukturat e reja. Gjithsesi, strukturat e reja do të jenë funksionale në vitin 2016, për të cilat pritet ngritja e një grupi pune në çdo bashki për hartimin dhe miratimin e tyre. “Nga ana e administratës së bashkisë është punuar për hartimin e strukturës së re të Bashkisë përfshirë edhe Njësitë Administrative.Kjo strukturë do të jetë një “strukturë provizore” që do të funksionojë deri në mbyllje të vitit kalendarik 2015. Më tej do të punohet me një grup pune që do të ngrihet posaçërisht për këtë çështje, për hartimin dhe miratimin e strukturës së bashkisë për vitin 2016 dhe në vazhdim. Gjatë periudhës shtator – dhjetor, jo vetëm do të testohet kjo strukturë provizore, por edhe do të diskutohet së bashku me një grup pune për organizimin më të mirë që do të mund të sigurojë funksionimin e bashkisë duke filluar nga viti 2016 e në vazhdim”, thuhet në projektvendimin model të hartuar nga Ministria e Çështjeve Vendore dërguar çdo drejtuesi bashkie, e ku më pas ia paraqet Këshillit Bashkiak për miratimin e numrit të punonjësve në strukturat provizore. Kjo strukturë pritet që të pësojë ndryshime pikërisht në njësitë administrative, të cilat janë krijuar në çdo bashki pas shkrirjes së komunave, ndërsa në bashkitë ekzistuese të cilat nuk janë prekur nga reforma territoriale nuk do të ketë ndryshime. 

Artikulli paraprakPOLICIA E SHTETIT, PUBLIKON RAPORTIN NJË JAVOR
Artikulli tjetër18 GUSHTI AFATI PËR TË APLIKUAR NË KONKURSET E UNIVERSITETIT