Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet dhe ka pushuar çështjen ndaj Enea Ftoit, i cili humbi jetën muaj më parë në burg.

Prokuroja e çështjes ka dalë në konkluzionin se policia nuk ka ushtruar dhunë, por ai vuante nga një sëmundje në mushkëri.

Prokurorja Oli Visi, është shprehur mes tjerash se çështja do i dërgohet gjykatës së Korçës, pasi siç tha ajo 27-vjeçari vdiq nga ishemia akute e miokardit dhe rezultonte se kishte probleme të theksuara në mushkëri.

Mes tjerash prokurorja ka konstatuar se nuk ka vepër penale pavarësisht pretendimeve të familjarëve, ndërsa pas hetimeve dhe analizave është konfirmuar se Ftoi ishte përdorues i lëndëve narkotike.

Pas vendimit të Prokurorisë së Korçës për të mbyllur çështjen për 27-vjeçarin Enea Ftoi, i menjëhershëm ka qenë reagimi i familjarëve të cilët e kanë cilësuar këtë veprim si korruptiv.

Babai i të ndjerit, Guri Ftoi ka hedhur poshtë konkluzionet se policia nuk kishte e ushtruar dhunë, pasi sipas tij, djali kishte krahun e thyer.

“Vendimi i Prokurorisë i padrejtë. Nuk e pranojmë vendimin. Policia ka ushtruar dhunë ndaj Eneas. Ne trup kishte shenja dhune. Krahun e kishte të thyer, gjuhën te prerë. Vendimi i prokurorisë, korruptiv. Do bëj vetëgjyqësi.

Duam të dalë e vërteta. Enea na tha kur ishte i shoqëruar, që po me torturojnë. Akuzoj policinë e Korçës për vdekjen e Enea dhe fshehjen e provave”, tha ai.

Gjithashtu babai i 27-vjeçarit është shprehur se do të detyrohet të bëjë vetëgjyqësi.