Qëllon me armë zjarri në ajër, arrestohet nga policia.Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit dhe një sasi fishekësh.

Me datë 03.05.2017 jemi njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri në fshatin Gojan i Madh. Menjëherë në drejtim të fshatit Gojan janë nisur forca të shumta policie si dhe grupi hetimor ku rezultoi se: në lagjen Brigjë, fshati Gojan i Madh, njësia administrative Gjegjan, bashkia Pukë ku kanë konstatuar 46 gëzhoja model 56 të shpërndara në mënyrë të çrregullt në rrugën e shtëpisë së shtetasit Martin Gjergji. Pas një kontrolli të bërë në banesën e këtij shtetasi dhe ambienteve përreth saj, u gjet e groposur një armë automatike model 56, 7 krëhëra, ku 6 prej tyre ishin bosh ndërsa njëri kishte 25 fishekë brenda, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shërbimet e policisë kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: Martin Gjergji, 24 vjeç, banues në Gojan i Madh, Pukë. Materialet i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor Pukë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike” të parashikuara nga nenet 278 dhe 274 të kodit penal.

Artikulli paraprakAKSION ANTIDROGË, SEKUESTROHET 685 KG KANABIS
Artikulli tjetërTRAFIKU I DROGËS, 4 TË ARRESTUAR