Autoriteti Rrugor Shqiptar ka filluar punën për rehabilitimin e plotë të aksit Qafë Qelë-Fushë Arrëz. Vlera e punimeve rehabilituese në këtë aks me gjatësi 45 kilometra do të arrijë në 8.7 milionë euro.

Drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro u shpreh nga Puka se rehabilitimi do të bëhet konkretisht tek shtresat asfaltike, nënshtresat, veprat e artit, urat, tombinot dhe kanalet e kullimit të ujërave. “Për një gjatësi gati prej 12.5 mijë metrash linear, ne do të vendosim edhe barrierat mbrojtëse”, bëri të ditur më tej Qendro.

Më tej, ai sqaroi se afati kohor i kësaj kontrate është gati 12 muaj por ARRSH beson se do të arrijë ta mbarojë përpara këtij afati.

Natyrisht ritmet e kantierit do të jenë në varësi të kohës gjatë këtij sezoni të dimrit por mendojmë se përpara vjeshtës së vitit që vjen, ky kantier të jetë mbaruar dhe kjo rrugë të kthehet përfundimisht në parametrat që duhen.

Kjo nuk do të ndikojë aspak gjatë sezonit dimëror, për mirëmbajtjen dimërore dhe për të siguruar kalueshmërinë në këtë aks për të gjitha llojet e mjeteve.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar zhvilloi gjatë vizitës në qytetin e Pukës edhe një dëgjesë publike me banorët në lidhje me programin e mirëmbajtjes së rrugëve dhe ndikimin e tij në mjedis.