Qeveria ju jep fund pushimeve dhe rikthehet në punë për të nisur vitin e dytë të mandatit të dytë. Kryeministri Rama i ka thirrur ministrat dhe kabinetet e tyre në një mbledhje informale parapërgatitore këtë të premte në qytetin e Vlorës.

Mbledhja e cila do të jetë dy ditore do të përmbyllë punën analitike të nisur më 25 korrik me kompaninë e Tony Blair.

Mësohet se kompania e ish-kryeministrit britanik po ndihmon qeverinë shqiptare për të mbyllur bilancin e këtij viti politik e qeverisës që u mbyll, si dhe për të përcaktuar objektivat për 300 ditëshin e dytë.

Mbledhjen e së premtes nuk do të ketë vendimmarrje nga ana e kryeministrit nëse do të ketë ose jo ndryshime ne qeveri në shtator, sikundërse ka paralajmëruar.

Mësohet se këtë vendim kryeministri pritet ta marrë javën e ardhshme dhe ta shpallë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila do të mblidhet ditët e para të shtatorit, datë e cila nuk është vendosur.

Në këtë mbledhje Rama do të shprehet nëse do të ndryshojë apo jo ministrat e tij, si dhe do të shpallë mobilizimin total për përballjen me zgjedhjet lokale në maj 2019.

Artikulli paraprakHYRI ME THIKË NË KOMISARIAT, ISH-GRUAJA: ISHTE HOMOSEKSUAL DHE MENDONTE VETËVRASJEN
Artikulli tjetërDEPUTETI I PS-SË HUMB MIKUN NË AKSIDENTIN E DAJÇIT: ISHTE SHUMË HERËT PËR TY, TË KISHIM KRAH TË FORTË