Qeveria ka pakësuar në mënyrë drastike shumën që planifikohet nga buxheti 2019 për fondin e veçantë të institucioneve, që është një zë i veçantë në buxhetin e shtetit, i cili nuk bën pjesë në fondin e pagave. Që prej disa vitesh,

ky fond rregullohet me udhëzim të posaçëm të ministrit të Financave, bazuar në një VKM të vitit 2010, të ndryshuar herë pas here. Ministri cakton çdo vit një shifër-tavan maksimale, të cilën mund ta administrojë titullari i institucionit për qëllime të caktuara, por që nuk ka lidhje me pagat.

Fondi i veçantë normalisht përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për: shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë; shpërblimin e punonjësve në fund të vitit kalendarik; shpërblime të tjera, të parashikuara me akte të tjera ligjore apo nënligjore; dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe për raste të tjera dhe veprimtari social-kulturore.

Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, lejohet të jepet i diferencuar nga drejtuesi i njësisë së qeverisjes së përgjithshme, por jo më shumë se një pagë mujore në vit. Përjashtimisht, për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit mund të jetë deri në dy paga mujore në vit.

Po kështu, ky fond përdoret për rastet e mëposhtme: Në ndihma të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste të tjera, të cilat përballohen nga fondi faktik i veçantë, përfshihen pagesat për rastet e vdekjes së punonjësit të institucionit.

Pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50.000 lekë; vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët). Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30.000 lekë, për çdo rast;

sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale apo një trajtim mjekësor i gjatë. Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 50.000 lekë. Po kështu edhe për çdo rast daljes së punonjësve në pension pleqërie. Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore.

Ndërsa në veprimtari me karakter social apo kulturor, që përballohen nga fondi i veçantë, përfshihen ato veprimtari të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension,

të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni. Në çdo rast, masa e shpenzimit, që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2.500 lekëve për punonjës. Kur veprimtaritë social-kulturore organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe të akomodimit paguhen nga vetë punonjësit.

Këto kritere lidhur me përdorimin e fondit të veçantë janë të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 929, datë 17.11.2010 “Për krijimin dhe përdorimin e Fondit të veçantë”, i ndryshuar. Sipas VKM-së së sipërpërmendur, fondi i veçantë në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet në masën 5% të fondit të pagave.

Në këtë fond nuk përfshihet fondi i pagave për punonjësit në listë pritjeje, me kontratë të përkohshme, për ushtarakët në reformë, për punonjësit në dispozicion, për pagesën e bashkëshortëve të ushtarakëve dhe atë të studentëve ushtarakë.

Si ka ndryshuar në vite
Menjëherë sapo është miratuar, fondi i posaçëm është ndryshuar vazhdimisht nga qeveritë shqiptare, sipas kërkesave të momentit.

Më 5.12.2011, qeveria Berisha duket se “u bë pishman” për përdorimin e fondeve publike për festa, por edhe për shpërblime nxitëse për punë të mirë nga administrata. “Përjashtimisht për vitin 2011, fondi i veçantë nuk përdoret për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë dhe veprimtari social-kulturore”, theksonte VKM-ja.

Një vit më pas, më 6.12.2012, “pishmani” shkoi më tej dhe ‘Berisha’ sanksionoi që “Përjashtimisht për vitin 2012, fondi i veçantë nuk përdoret për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë, për shpërblime të parashikuara me akte të tjera, ligjore apo nënligjore, për dhënie ndihmash të menjëhershme në raste fatkeqësish dhe në raste të tjera, si dhe për veprimtari social-kulturore”.

Pra, duket e bërë praktikisht nul VKM-në e dy viteve më parë.
Me një tjetër VKM, nr. 905, datë 17.12.2014, qeveria e re Rama, e cila gjatë 2012-ës nuk amendoi asnjë kriter të vendosur më parë nga Berisha, por vendoste që “Përjashtimisht për vitin 2014, fondi i veçantë i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve,

me përjashtim të shpërblimit për kategoritë e mëposhtme: mësuesve me rezultate të mira në procesin e mësimdhënies për vitin 2014, në masën deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë; trupës më të mirë policore për vitin 2014, në masën deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë; punonjësve të 3 shërbimeve spitalore, të renditura si shërbimi më i mirë spitalor

në vend për vitin 2014, në masën deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë dhe punonjësve të Parkut Kombëtar të Divjakës, në masën deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë”. Këtyre të fundit, madje, ju shtohet shpërblimi tre muaj më pas, më 18.3.2015: “Përjashtimisht, për punonjësit e Parkut Kombëtar të Divjakës jepet shpërblim, në masën deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë, nga fondi i veçantë i akorduar për Ministrinë e Mjedisit, për vitin 2015”.

Viti 2016 kaloi pa ndryshime, për të arritur te ‘Rama 2”, që zvogëloi sërish përdorimin e fondit special. Më 29.12.2017, Këshilli i MInistrave vendoste: “Përjashtimisht për vitin 2017, fondi i veçantë i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin

e punonjësve, me përjashtim të një shpërblimi për festat e fundvitit për punonjësit e Policisë së Shtetit. Masa e shpërblimit për këta punonjës përcaktohet nga titullari i ministrisë, në përputhje me fondin aktual, të veçantë, të miratuar për vitin 2017, por, në asnjë rast, ky shpërblim nuk tejkalon masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë”.

Dhe një ditë më pas, ndërkohë që ka filluar aplikimi i reformës në Drejtësi, me VKM nr. 821, datë 30.12.2017, bendoset: “Përjashtimisht për vitin 2017, Komisionerëve të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerëve Publikë dhe Gjyqtarëve të Kolegjit të Pavarur të Apelimit, u jepet një shpërblim, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë”.

Kjo vëmendje për punonjësit e rinj të institucioneve të Vettingut përsëritet edhe më 2018, kur, pa prekur përdorimin e fondit të veçantë nga institucionet sipas kritereve fillestare, qeveria vendos (VKM nr. 813, datë 31.12.2018):

“Përjashtimisht për vitin 2018, për institucionet e rivlerësimit të jepet një shpërblim në masën e përcaktuar, si më poshtë vijon: Komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerët Publikë dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shpërblehen në masën e një page mujore bruto që përfshin pagën referuese bazë së bashku me shtesën për pagën në grup.

Këshilltarët ligjore dhe ekonomikë, sipas përkatësisë, shpërblehen në masën 80% të masës së shpërblimit sipas shkronjës “a”, të kësaj pike. Nëpunësit e administratës shpërblehen përkatësisht në masën e vlerës së pagës për pozicion.

Punonjësit e tjerë të administratës shpërblehen përkatësisht në masën e vlerës së pagës për klasë. Për efekt të këtij vendimi, përfitues të shpërblimit në masën e një page mujore bruto janë punonjësit që kanë punuar jo më pak se 12 muaj në institucion. Për punonjësit që kanë punuar jo më pak se 3 muaj në institucion, shpërblimi do të jetë i barabartë më gjysmën e pagës mujore bruto”.

Viti 2019
Një nga kriteret, që përmendëm më lart, është se fondi i posaçëm duhet të jetë në vlerë i barabartë me 5% të fondit të pagave dhe ministri i Financave vetëm përcakton kuotën-tavan maksimale për fondet e posaçme sipas institucioneve buxhetore qendrore. Sipas shifrave të buxheteve të shtetit, del se kjo kuotë nuk është respektuar.

Kështu, më 2018 shuma e përgjithshme e lejuar nga ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj për t’u përdorur si fond i tillë është 500 milionë lekë, ndërsa më 2019, ndonëse numri i përgjithshëm të administratës shtetërore qendrore ka shkuar nga 81.753 vetë, në 82.120, është caktuar nga ministrja e re Anila Denaj një shumë prej 200 milionë lekësh. Pra, ndonëse është rritur numri i punonjësve, është ulur shifra e fondit të posaçëm. Dhe jo pak, por në masën 60 për qind.

Ministria nuk është e detyruar të japë shpjegime për një vendim të tillë nga ana e titullares së tij, por shpjegimi ka vetëm dy opsione: ose qeveria mendon se krerëve të institucioneve u është lënë në dispozicion një shifër shumë e lartë, me të cilën mund të abuzohet prej tyre; ose buxheti mendohet të përdoret për shpenzime të tjera, më të rëndësishme.

Në rast se do të respektohej 5-përqindëshi i fondit të pagave për këtë fond shpërblimesh, totali do të dilte shumë më i lartë se kaq: në vitin 2018, fondi total i pagave të buxhetorëve ishte 64.8 miliardë lekë afërsisht, një shifër që rritet madje në afro 65.7 miliardë lekë këtë vit. Normalisht, duhej të ishin diku te 3 miliardët fondet e posaçme të institucioneve, por kjo nuk është zbatuar as me 500 milionët e vitit të kaluar dhe aq mq pak me 200 milionët e këtij viti.

Ajo që të bën një tjetër përshtypje është edhe fakti se kemi të bëjmë dukshëm me tendencën e shkurtimeve: në listën e vitit 2019, shumat janë të rrumbullakosura, ndërkohë që në listën e vitit të kaluar shifrat-tavan janë më të hollësishme, deri në një lek, duke treguar se më përpara është përdorur kriteri i përqindjes ndaj fondit të pagave, që nuk mund të dalë asnjëherë me shifër të plotë.

Kriteret e përdorimit të fondit të veçantë

Fondi i veçantë normalisht përdoret për:
Shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë
Shpërblimin e punonjësve në fund të vitit kalendarik
Shpërblime të tjera, të parashikuara me akte të tjera ligjore apo nënligjore
Dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe për raste të tjera
Veprimtari social-kulturore

Për raste fatkeqësish fondi përdoret si më poshtë:
Në ndihma të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste të tjera, të cilat përballohen nga fondi faktik i veçantë, përfshihen pagesat për rastet e vdekjes së punonjësit të institucionit. Pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50.000 lekë

Në rast të vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët). Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30.000 lekë, për çdo rast

Në rast të sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale apo një trajtim mjekësor i gjatë. Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 50.000 lekë
Për çdo rast daljes së punonjësve në pension pleqërie. Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore.

Në raste aktivitetesh fondi përdoret për kushtet si më poshtë:
Përfshihen ato veprimtari të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni.

Në çdo rast, masa e shpenzimit, që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2.500 lekëve për punonjës.
Kur veprimtaritë social-kulturore organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe të akomodimit paguhen nga vetë punonjësit.

Artikulli paraprakNGA FLLOKO TEK DEVOLE, JA PENSIONET E POSAÇME PËR ARTISTËT E SPORTISTËT
Artikulli tjetërPOLICIA VRET ME BRESHËRI PLUMBASH REPERIN 21-VJEÇAR