Pas pensionistëve, shpërblim për festat e fundvitit do marrin edhe familjet me ndihmë ekonomike si dhe personat me aftësi të kufizuara.

Sipas VKM-së të miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë, 62 640 familje që trajtohen me asistencë dhe ato që kanë anëtarë me statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, 69 000 persona, do përfitojnë nga 30 mijë lekë të vjetra shpërblim.

Qeveria ka caktuar një fond prej rreth 400 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale për të kthyer paksa buzëqeshjen për festat e fundvitit te të gjitha ato familje të varfra dhe personat e pamundur fizikisht.

Shpërblimet e fundvitit
3000 lekë për familjet e skemës së ndihmës ekonomike
3000 lekë dhe për personat me aftësi të kufizuara

Për zbatimin ngarkohen Min. e Shëndetësisë dhe Min. e Financave
Do të përfitojnë 62,640 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike
Do të përfitojnë dhe 69 000 persona me aftësi të kufizuara
Qeveria ka përcaktuar një buxhet prej 396 147 000 lekësh për shpërblimet
Vendimi i Qeverisë:

V E N D I M

PËR

SHPËRBLIMIN DHE KOMPENSIMIN E DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA PËR FESTAT E FUNDVITIT 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

1. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë kompensohen financiarisht, për vitin 2018, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:

a) Familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familje, të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar;

c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 147 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e dyzet e shtatë mijë) lekë dhe përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, miratuar për vitin 2018.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

Pak ditë më parë Qeveria miratoi edhe shpërblimin prej 50 dollarësh për festat e fundvitit për 650 mijë pensionistë . Ndërsa prej javës së kaluar ka nisur shpërndarja e shpërblimit në të gjitha zyrat e Postës Shqiptare.

PUBLICITET