MINISTRI GJIKNURI BËN PUBLIKE FORMULËN QË DO TË NDIQET PËR BANORËT. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, njoftoi me anë të një konference për shtyp ditën e mërkurë, se qeveria ka marrë vendim për dëmshpërblimin e banorëve që kanë vuajtur nga përmbytjet në Shkodër. “Kemi bërë një bilanc të detyrimeve që shteti ka mbetur pa u dhënë banorëve të këtyre zonave të përmbytura dhe detyrimet që ata i kanë shtetit në formën e faturave të papaguara të energjisë elektrike.

Pra, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer një rakordim të emrave të listës së Emergjencave Civile për banorët e prekur nga përmbytja dhe detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike. Nga ky rakordim, janë identifikuar 2868 kontrata për të cilat do të kryhet procedura e kompensimit me borxhin e akumuluar të energjisë elektrike. Vlera totale që do të kompensohet me shuarje detyrimi, sipas këtij vendimi arrin në 222,416,775 lekë. Thënë më qartë, që të kuptohet nga opinioni publik, nëse shteti ka një borxh ndaj një banori dhe ky i fundit ka gjithashtu një detyrim ndaj OSHEE-së, do të bëhet shuarja me kompensim deri në vlerën më të vogël, sipas shumave tanimë të përcaktuara”, tha Gjiknuri. Ministri shtoi se këto dëmshpërblime do të shpërndahen përmes zyrave të OSHEE-së.  “Në rastin kur detyrimi i energjisë elektrike, që banorët e zonave të përmbytura kanë ndaj OSHEE, është më i madh se detyrimi që shteti u ka atyre, palët janë të detyruara që diferencën e detyrimit të energjisë elektrike ta zgjidhin sipas parashikimeve të kushteve të kontratave të furnizimit me energji elektrike. Kjo vendimmarrje e qeverisë u vjen në ndihmë këtyre banorëve, të cilët prej vitesh janë lënë mënjanë, pikërisht nga ata të cilët i përmbytën dhe i gënjyen me premtime boshe”, tha ministri Gjiknuri.

Artikulli paraprakPD: RAMA DHE META U BRAKTISËN NGA ELEKTORATI SHKODRAN
Artikulli tjetërFLAMURI NË KISHËN E RUMISË TRAZON PRO SERBO-MALAZEZËT