Qindra e mijëra studentë në Kryeqytet vazhdojnë edhe sot lëvizjen dhe protestën e tyre. Ata kanë deklaruar se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe se nuk ka asnjë lidhje me politikën.

“Protesta do vazhdojë, s’do ketë tërheqje. Do vazhdojmë deri në grevë urie”, tha një student në protestë.

Studentët janë ndalur në rrugë duke kënduar himnin kombëtar për disa çaste dhe më pas janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit.

Prej ditësh ata kanë parashtruar disa kërkesa ndaj qeverisë por kjo është dita e tretë që protesta është kthyer në një lëvizje dhe mbahet në të gjitha Universitetet e vendit.

Ata kanë kaluar nga pas Presidencës, tek Libri Universitar, në zonën e Bllokut e më pas drejt Ministrisë së Arsimit.

Për sa i përket vijimit të protestës, studentët kanë deklaruar se e diela do të jetë pushim ashtu si edhe e hëna e nuk do të ketë protesta, ndërsa kanë paralajmëruar të martën, më 11 dhjetor një masivizim të lëvizjes së tyre.

Studentëve iu janë bashkuar edhe prindërit që mbështesin kërkesat e të rinjve