Kryeministri Edi Rama ka prezantuar politikat e punësimit për personat e papunë dhe veçanërisht ata që nuk do të marrin më ndihmë ekonomike. Kreu i qeverisë tha se në fokus do të jetë trajnimi dhe pagesa për këtë trajnim për të gjithë ata persona që nuk do marrin ndihmën ekonomike.

“Ne do i paguajmë ata që do trajnohen, vetëm që të fitojnë një punë. Një kompani që ka nevojë për punëkërkues, do të marrë paratë nga shteti që do i shkojnë personit që do të trajnohet dhe më pas do të nisë punën”.

Rama u tha të gjithë drejtuesve të zyrave të punës se duhet të përmbushin objektivat në të kundërt të hapin krahun. Sipas Ramës 25 mijë personat që nuk marrin më ndihmë ekonomike duhet të punësohen me patjetër nga zyrat e punës.

“Në muajin Mars kemi 23% më shumë vende pune të deklaruara nga bizneset për zyrat e punës. Janë rritur mundësitë. Por kalimi nga mundësia tek fakti ka në mes gjithë punën ndërmjetësuese që do të bëjë zyra e punës. Për këtë arsye janë vendosur objektivat në të gjitha zyrat e punës në 61 bashkitë e vendit.

Objektivat e drejtorëve do të maten çdo muaj dhe kush përmbush objektivin do të vazhdojë detyrën, në këtë kundërt do t’i hapë krahun tjetrin. 25 mijë njerëz që kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe janë regjistruar tek zyrat e punës duhet të punësohen vetëm nga zyrat e punës”.