Kryeministri Edi Rama ka dalë me një njoftim të rëndësishëm në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Përmes një video të ndarë në Facebook, Rama njofton se të gjithë ata që kanë dërshirën e mirë për të kandiduar për deputet nën siglën e PS, mund të aplikojnë në platformën deputetiqeduam.ps.al. “MIRËMËNGJES, dhe me këtë ftesë për këdo që ka ambicien e kurajon për ta provuar veten në të përpjetën e politikës, me mua dhe Partinë Socialiste, ju uroj të dielë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë në këtë njoftim të tijin duke qenë se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit po afrojnë gjithnjë e më shumë.

Tashmë edhe Partia Socialiste ka nisur punën për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet parlamenatare të 2021-shit përmes platformës që kryeministri Rama e ka bërë të ditur edhe më përpara. Ndryshe nga PD që zhvilloi një proces krejt të ri për Shqipërinë me votë kontestuese, Partia Socialiste ka zgjedhur që baza të propozojë emrat përmes platformës online dhe më pas qendra do bëjë përzgjedhjen e tyre se cilat do jenë kandidatët që do të ketë PS në secilin qark. Pjesa më e madhe e kandidatëve në radhët e socialistëve pritet të jenë ata aktualët pa shumë ndryshime të mëdha emrash.