Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë mbrëmjen e sotme me përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Désir, pas kritikave të këtij të fundit në lidhje me ultimatumin e AKEP-it për regjistrimin e portaleve në kuadër të paketës antishpifje.

Harlem Désir fillimisht shqetësimet shefit të qeverisë shqiptare ia përcolli përmes një letre, ndërsa pas bisedës shkruan se pati një shkëmbim idesh me kryeministrin Rama në lidhje me nismën për të luftuar shpifjen online.

Ai shton se do të punojë së bashku me qeverinë për rregullimin e tregut online, ndërsa Rama ka shpërndarë statusin e tij duke theksuar se së shpejti Paketa Antishpifje, AntiFakenews do të jetë në diskutim publik.

Bisedë e frytshme me Harlem Désir mbi përpjekjet për rend ligjor në median online. Së shpejti PaketaAntishpifje AntiFakenews në diskutim publik. Gati për të dëgjuar sugjerimet e kujtdo që do një media të çliruar nga shpifjet. OSCE_RFoM partner i çmuar në këtë betejë emancipuese

Paketa anti shpifje e inicuar nga kryeministri Rama nisi me legalizimin e portaleve. Kryeministri i cilëson si ‘fantazma’ pa adresë dhe pa emër, portalet e paregjistruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.

Të hënën AKEP, publikoi një listë me portalet e paregjistruara dhe la afat 72 orë që të publikojnë numrin e Nipt-it në faqen e tyre online, pasi në të kundërt do të bëhej mbyllja e cdo portali të paregjistruar, ndërsa sot konfirmoi se portalet janë regjistruar.