Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në ceremoninë e 107-vjetorit të Policisë së Shtetit, ku po përurohet dhe reparti i ri për Forcat Speciale RENEA, me një citim të Ismail Qemalit, më 1912.

“13 janar 1913 më pak se dy muaj nga themelimi i shtetit shqiptar u formua institucioni i parë i Shqipërisë së Pavarur, Policia e Shtetit. Duhet të qërohen të tillë oficerë dhe të kalojë puna e policisë në duar të ndershme”. Kjo ishte porosia e Ismail Qemalit në atë kohë. Është një porosi që nuk ka datë skadence, sepse të qenurit në duar të ndershme e të stërvitura është A-ja e çdo Policie Shteti dhe e kësaj tonës”, tha Rama, në nisje të fjalës së tij.

Më tej, ai vlerësoi maksimalisht forcat RENEA, duke thënë se janë në nivelin e forcave të ngjashme të të gjitha vendeve evropiane, sa i përket përkushtimit dhe lartësisë së tyre profesionale, ndërsa shtoi se ka shlyer një borxh të madh ndaj Policisë së Shtetit, duke iu vënë në dispozicion këtë strukturë, që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre.

“Sot më vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që 107 vjet nga formimi i Policisë së Shtetit t’iu themi të gjithë djemve të përkushtuar të RENEA-s, por edhe vajzave që janë pjesë e tyre, se e shlyem një borxh ndaj tyre, duke vënë në dispozicion pas 30 vitesh këtë strukturë, që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre, ndërkohë që për 30 vite rresht të gjithë ata që janë angazhuar në RENEA kanë dhënë shembuj të panumërt përkushtimi, në një lartësi profesionale dhe morale të admirueshme, që nuk janë shpërblyer sa dhe si duhet.

Sot, RENEA ka në dispozicion një strukturë, që është në çdo aspekt e ngjashme në çdo standard me strukturat e Forcave Policore të Elitës në vendet evropiane. RENEA u themelua me një akt të posaçëm më 12 shtator të 1991, në një moment kur diktatura e kishte marrë tatëpjetën dhe pushteti i saj kishte rrëshqitur.

Detyra e parë e atij grupi ishte të përndiqte grupet e supozuara anti-regjim, ndërsa përgjatë viteve 80’ detyra e tyre ishte të parandalonte çdo mundësi revolte kundër regjimit nëpër stadiume. Sot, jemi në një botë tërësisht tjetër dhe me sfida, qëllime e mundësi tërësisht të tjera.

Nëse sot kemi këtu një strukturë moderne për forcat e RENEA-s, që nuk ka asgjë të mangët në aspektin e kushteve krahasuar me strukturat e ngjashme në vendet e BE, deri një dekadë më parë kishim një repart ushtarak, që në shkurt, mars të 1997 përgatitej të sulmonte në jug.

Nuk ishte 100 vjet më parë, por 20 vjet më parë, dhe nëse krahasimet me të shkuarën janë tronditëse, sot është koha për t’u matur me të ardhmen”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Artikulli paraprak107-VJETORI I POLICISE, SORECA: JAPIM 19 MLN EURO PËR TË LUFTUAR KRIMIN
Artikulli tjetërINAUGUROHET REPARTI I RI I KIRURGJISË NË QSUT, RAMA: ÇON NË NJË TJETËR NIVEL SHËRBIMET MJEKËSORE