Liderët shtetërorë të Kovosë, partnerët e koalicionit qeverisës dhe kryeministri Edi Rama kanë darkuar mbrëmjen e kaluar sëbashku. Ky takim është bërë i ditur nga një fotografi në rrjetet sociale, postuar nga djali i Hashim Thaci, Endriti.

Mediat kosovare shkruajnë se darka midis kryeministrit Edi Rama, presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli, zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, mund të jetë bërë në shtëpinë e presidentit të Kosovës.

Nuk dihet asgjë rreth temave që mund të jenë diskutuar, por duke u bazuar në zhvillimet aktuale politike në Kosovë, një ndër subjektet mund të ketë qenë taksa ndaj Serbisë dhe cështja e kufijve.

Takimi në fjalë vjen në një kohë kur raportet mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj janë të acaruara për shkak të taksës së vendosur ndaj mallrave të importuara serbe, por edhe kundërshtimit të Haradinajt për idenë e Thacit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, si edhe pas miratimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2019 dhe votimit të Projektligjit për Dialogun.

Kryeministri shqiptar Edi Rama pak ditë më parë pati një telefonatë me këshilltarin amerikan për sigurinë John Bolton. Në një status në rrjetet sociale, Rama u shpreh se në fokus të bisedës me Bolton ishte Shqipëria, rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë, që të mbyllë konfliktin historik.