Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek, Aleksis Tsipras janë takuar në Londër, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor.

Burime  thanë se dy kryeministrat diskutuan rreth negociatave mbi një numër të madh çështjesh, që po drejtohen nga Ministrat e Jashtëm dhe vlerësuan arritjet e deritanishme.

Çështjet për të cilat është rënë dakordësi nga ekipet negociatore mes dy vendeve janë ato për Detin, shfuqizimi i Ligjit të Luftës, heqja e sekuestros për pronat e shqiptarëve në Greqi, apo dhe mospërdorimi i mëtejshëm i emrave Vorio-Epir dhe Çamëri.

Ndërsa në një postim të faqes së Kryeministrisë në Tëitter thuhet: “Ndonëse ka ende çështje që do të vazhdojnë të diskutohen nga ekipet negociatore, kryeministrat Rama dhe Tsipras shprehën besimin se një zgjidhje pozitive mund të arrihet së shpejti”.

Rama shoqërohej në këtë takim nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati si dhe drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga. Sa i takon palës greke, ra në sy mungesa e ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias.

(Foto nga takimi i dy kryeministrave Edi Rama e Aleksis Tsiprasnë prani të delegacioneve)

Më herët ishte ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i cili u shpreh se marrëveshja me Greqinë do nënshkruhet në një të ardhme të afërt.

Ne kemi bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve për një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare, një marrëveshje e re që do të udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike, në fushën e detit,

por mbi të gjitha një marrëveshje e re e cila do të ishte e drejtë dhe e zbatueshme për dy vendet tona. Nuk është një proces i lehtë, ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi,

por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë ne në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë.