Pas nismës së qeverisë për punësimin e 1000 studentëve ekselentë në administratë në kuadër të paktit për universitetin, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në ditët në vijim do të ketë një tjetër thirrje.

Ai u shpreh se studentët ekselentë do të rekrutohen në shërbimin diplomatit, pasi trupa ka nevojë për një pastrim të thellë nga nepotizmi dhe klientelizmi.

“Për pak ditë do të ketë një thirrje tjetër për studentët që kanë mbaruar me 9-ta dhe 10-ta në shërbimin diplomatit, në ristrukturimin për të goditur nepotizmin dhe klientelizimin e së shkuarës.

Kemi bërë një pastrim që nuk mjafton, pasi do të shkojmë më thellë. Edhe aty thirrja do të jetë për më të mirët. Edhe dicka, doja të shtoja, bordet ndryshuan tërësisht, si reflektim i kërkesës së studentëve dhe që nuk u treguan në lartësinë e duhur në raport me përgjegjësinë” tha ai.

Kryeministri Rama kërkoi një reagim të shpejtë nga universitetet për vlerësimin e titujve akademikë, ose të njohur ndryshe si vettingu për pedagogët, pasi në të kundërt do i drejtohet parlamentit për zgjidhje me ligj.

“Kam parë një segment në universitet kundër reformës së arsimit të lartë, që duke reaguar kundër reformës dhe ligjit të arsimit të lartë i ikën vlerësimit të titujve akademikë.

Nuk do të doja që ti kërkoj ndihmë parlamentit për të ndërhyrë për një zgjidhje alternative, kjo nuk do të kalojë, nuk do të harrohet, prandaj do i kërkoja universitetit që të veprojë, pasi jo të gjithë pedagogët meritojnë të paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe t’u shfaqen si profesorë dhe në fakt janë sharlatanë, është e padrejtë”.

Deklaratat kryeministri Rama i bëri gjatë aktivitetit ku njoftoi se një tjetër pikë e rëndësishme e protestës studentore zbatohet në afat sipas angazhimit të shkruar në Paktin për Universitetin; Portali i Transparencës Universitare u-transparenca.al një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e arsimit të lartë.

Rama u shpreh se shpreson që universitetet ta vënë në funksionim dhe studentët ta monitorojnë në vijim, së bashku me qeverinë.