Tre kanë qenë çështjet kryesore që kryeministri Edi Rama është ndalur në fjalimin e tij për rreth 25 minuta para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

E nisi me punën që ka bërë Shqipëria për të arritur objektivat globale, për të vijuar me thirrjen e fortë ndaj Serbisë për të njohur Kosovën dhe së fundmi zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, si e vetmja formë, sipas Ramës për të siguruar stabilitetin në rajon.

Ai bëri thirrje Serbisë që të njohë Kosovën e pavarur, të shkëputet nga historia dhe të krijojë një faqe të re të historisë. Ndërkohë, kamerat kanë fokusuar edhe reagimin e përfaqesueses së Serbisë, e cila pati një buzëqeshje ironike në fytyre, teksa kreu i qeverisë theksonte se Kosova e pavarur është e pakthyeshme. Ai ka pasur edhe një kritikë për BE, që nuk i ka liberalizuar vizat me Kosovën.

“E dashur Serbi, Kosova e pavarur është e pakthyeshme, mos jetoni më me historinë por bëni historinë për eten tuaj dhe për botën duke ardhur në realitet. E rëndësishme që Kosova t’i jepet mundësia të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare ku çdo vend sovran ka të drejtë të marrë pjesë. Shpresa ime e sinqertë që Ballkani Perëndimor do të arrijë të shkëputet nga e kaluara dhe të ofrojë një të ardhme të pavarur.

E pajustifikueshme që Kosova me 2 mln banorë mbetet vendi i vetëm ku populli është ende i izoluar. Nga 2014 më shumë e100 mln njerëz janë shtuar asaj bashkësie që mund të hyjnë ne BE pa viza, si është e mundur që BE të mbajë peng 2 mln njerëz. E dashur BE ndaloje këtë gjë të pakuptimtë”, tha Rama në fjalimin e tij.

Ndërkohë, sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, shefi i ekzekutivit përpara Asamblesë së OKB-së tha se stabiliteti i rajonit garantohet nga prespektiva europiane, dhe kjo sipas tij do të jetë vendimi më i mençur që BE-ja mund të merrte për BE-në.
“Stabiliteti, siguria e rajonit mund të garantohet nga perspektiva europiave. Kështu strategjikisht vendimi më i mençur që BE mund të merrte për BE-në”, tha Rama.

 

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se edhe Shqipëria, renditet në vendet që i është cenuar sigurua nga veprimtaritë e paligjshme të Iranit.

“Na është dashur të reagojmë ndaj disa veprimtarive të paligjshme të Iranit dhe interesave të sigurisë dhe mbetemi në krah të atyre vendeve, të cilat janë cenuar në sigurinë e tyre, qoftë në tokë, apo në det nga ai.

Shqipëria është e shqetësuar nga sjellja destabilizuese e Iranit në Lindjen e Mesme, por gjithashtu edhe nga aktivitete që shkaktojnë trazira të tij në raport me opozitën iraniane, komunitetin e opozitës iraniane të cilin e kemi mirëpritur me bujari në vendin tonë, pas masakrave të jashtëzakonshme që u janë nënshtruar në vende të tjera”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të kryeministrit Edi Rama është thirrja e fortë ndaj Serbisë për të njohur Kosovën. Të jetojë në realitet, të shkëputet nga historia, por të bëjë historinë, theksoi kreu i qeverisë. Megjithatë, gjatë këtij momenti kamerat fokusuan përfaqësuesen e Serbisë, e cila siç shihet në video, ka bërë një buzëqeshje ironike.