Po ashtu si një ditë më parë, Kryeministri Rama e konfirmoi edhe një herë qëndrimin e tij duke u shprehur se është dakord që të realizohet vettingu në politikë i propozuar nga Lulzim Basha. “Të nisë nga mua”, tha Rama.

Rama u shpreh se politikanët kanë dalë jashtë kontrolli pasi nuk ka pasur drejtësi. “Vettingun e tyre e bën populli me votë dhe drejtësi”, tha ai.

Kryeministri theksoi se është plotësisht dakord që vettingu në politikë të nisë sa më parë dhe për këtë u shpreh se ka angazhuar disa deputetë për ta diskutuar me Partinë Demokratike.

Një instrument që i bën më shpejtë këto është i mirëseardhur. Unë, presidenti, kryetari i opozitës, gruaja e tij, rrethi familjarë, vjehrri, vjehrra ime. Kryeministrat e mëparshëm, fëmijët e tyre, ku udhëtojnë?

Çfarë frytëzojnë? Sa rrinë jashtë shtetit dhe sa rrinë në Shqipëri? Unë jam gati, por çështja është që kjo të mos jetë e lidhur me reformën në drejtësi, që të mos e kthejmë mbrapsht këtë reformë.

Ai Vettingu do të vazhdojë. Unë jam gati për këtë vettingun tjetër, madje të fillojë nga mua. Por një komision bipartizan nuk mund ta bëjë këtë. E kemi shumë seriozisht, kam ngarkuar taulantin që të komunikojë me zotin Spaho, por edhe deputetë të tjerë”, tha Rama.