KRYEMINISTRI EKSPOZITË PIKTURE NË FRANCË. Kryeministri Rama i është rikthyer pasionit të të tij të vjetër, pikturës, të cilën duket se nuk e ka braktisur edhe gjatë detyrës si kryeministër i vendit.

Rama ka zgjedhur Francën ku ka jetuar gjatë viteve 1994-1997, për të ekspozuar disa nga punët e tij më të fundit në një ekspozitë të përbashkët me piktorin shqiptar Bujar Luca. “Letër zyre” titullohet ekspozita, ku përfshihen disa nga letrat e tij zyrtare mbi të cilat ai ka pikturuar duke i shndërruar në vepra arti. Ekspozita do të çelet sot (4 Dhjetor) në ambientet e galerisë “Vernissage” në Bulevardin Haussmann në Paris do të qëndrojë e hapur deri në datë 24 dhjetor.Ka qenë vetë Rama i cili ka bërë të ditur për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Francë këtë ekspozitë duke i ftuar ta vizitojnë. “Sot në Paris çelet kjo ekspozitë. Nuk është kohë e humbur për kë jeton apo kalon andej dhe merr mundimin ta shohë,”- ka shkruar Kryeministri në faqen e tij zyrtare në Facebook.Së bashku me Ramën në këtë ekspozitë do të shfaqen edhe punimet e piktorit Bujar Luca, i cili prej vitit 1990 jeton dhe punon në Francë. Gjithashtu ai ka marrë pjesë në ekspozita të tjera edhe në Britani të Madhe, Belgjikë por edhe në vendin tonë.