RAMA: KRYEBASHKIAKËVE TË PD I MUNGON VULLNETI PËR TË ZGJIDHUR PROBLEMET. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkuan votën për Ketin Bazhdarin në Shkodër për të transformuar, sipas tyre, edhe këtë qytet, ashtu si qytetet e tjera të qeverisura nga socialistët.   Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama solli një shembull të thjeshtë, sipas tij, të ndryshimit mes ofertës së Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe asaj të koalicionit opozitar.

Kryeministri tha se kryebashkiakëve të PD-së u mungon vullneti dhe idetë për të zgjidhur problemet e komuniteteve që drejtojnë. Sipas tij, ka një ndryshim të madh mes bashkive të qeverisura nga demokratët dhe ato të qeverisura nga socialistët, ndryshim që ai tha se e kishte ndjerë këtë të martë më shumë se kurdoherë. Në 21 qershor, tha Rama, nuk zgjidhen hallet e PD, por zgjidhen problemet e komunitetit, duke kërkuar votën edhe nga demokratët. Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se Shkodra nuk ka më nevojë as për kandidatë dhe as për kryetarë partiakë. Meta garantoi mbështetjen e qeverisë për bashkinë e re të Shkodrës për realizimin e disa projekteve madhore, sidomos në infrastrukturë, duke përmendur këtu rrugën që lidh Shkodrën me Velipojën, me Thethin, Shëngjinin e madje edhe me Ulqinin në Mal të Zi.