KRYEMINISTRI SHQIPTAR ENTUZIAZMON SHQIPTARET E PRESHEVES.Intuziazmi i qytetarëve të Preshevës arriti kulmin, kur kryeministri Edi Rama zgjodhi të kalojë pranë tyre në sheshin “Liria”, përpara se të futej në sallën e Pallatit të Kulturës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë pritur kryeministrin me muzikë e valle shqiptare, ndërsa në duar mbanin flamurin kombëtar.

Në fjalimin e tij, kryeministri Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar punën, në mënyrë që siç tha ai, të rilinden shpresat dhe besimi i çdo shqiptari kudo ku ai jeton.  Shefi i qeverisë shqiptare tha se vendi ynë do të mbetet një derë e hapur që të rinjtë e Preshevës të studiojnë në Shqipëri. Rama bëri të ditur se tashmë është arritur një marrëveshje me kryeministrin serb Vuçiç dhe ekipin qeveritar serb për njohjen reciproke të diplomave. 

“Ndihem thellësisht i privilegjuar që si kryeministër i Shqipërisë t’ju them mirose ju gjeta dhe t’ju siguroj se unë dhe qeveria jonë nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari kudo ku ai jeton. Ju jam thellësisht mirënjohës për këtë mikpritje të paharrueshme dhe për këtë organizim kaq dinjitoz, që ju siguroj se do të mbetet i pashlyer në kujtesën time dhe pa asnjë dyshim do diktojë edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm timin dhe të të gjithëve ne në Tiranë për të qenë pranë jush dhe për të punuar së bashku në mënyrë që secili prej jush të ketë një rrugë të hapur për të realizuar ambiciet e tyre dhe të ketë gjithmonë një derë të hapur në Shqipëri për të kryer studimet e tyre. Pas një diskutimi intensiv me kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb ne në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, dhe për njohjen reciproke të diplomave”- deklaroi kryeministri Rama. Duke u ndalur tek diplomat që lëshohen në Shqipëri, Rama tha se ato do jenë të barasvlershme me ato në Serbi. “Kemi hapur një faqe të re për gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do duan të realizojnë ambicien e tyre. Diploma e Shqipërisë do jetë një dokument i njohur edhe në Serbi, është i barazvlefshëm me të”. Më tej kreu i qeverisë shqiptare e foli hapur përpara shqiptarëve të Preshevës, duke iu thënë se rajoni ku jetojmë duhet të bashkëjetojë në paqe, ndërsa shtoi se me Serbinë është hapur tashmë një kapitull i ri, që ky moment paqeje të jetë i qëndrueshëm “Pavarësisht vështirësive të kuptueshme moskorrektësive të njohura, jam besimplotë që kemi hapur një faqe te re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, kemi marrë përsipër përgjegjësinë që na takon. Të mos lejojmë që gjenerata e re e shqiptarëve dhe serbëve të trashëgojnë traumat e një konflikti të gjatë, që fëmijët shqiptarë dhe serbë nuk e meritojnë. Kjo është një përgjegjësi e plotë e qeverisë shqiptare, përtej atyre që mund të thonë ata të cilët preferojnë të jetojnë me slogane dhe retorika të së shkuarës. Do bëjmë çmos që ti japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari pavarësisht ku jeton, pavarësisht se jeton në Kosovë, Serbi, Mal i Zi e me radhë. Ne jemi të bindur se na është dhënë mundësia historike e një paqeje në këtë rajon të identifikuar botërisht me urrejtjen e dasisë. Sot 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore ne kemi mundësinë historike ta kthejmë këtë moment paqeje në një paqe të qëndrueshme, për të cilën ia vlen të jetohet”. Rama u ndje krenar teksa foli për mundësitë dhe të drejtat që iu garantohen minoriteteve në Shqipëri, ndërsa nuk hezitoi të kërkojë të njëjtën gjë edhe nga Serbia. 

“Nuk është hera e parë që vij në Preshevë, jam i vetëdijshëm për brengat vështirësitë dhe pamundësitë tuaja të shkaktuara pavarësisht nga ju, vështirësi që ndesheni shpeshherë, pengesa që i gjeni në rrugën tuaj të pamerituar. Duke shfrytëzuar këtë moment paqeje, duke u përpjekur të kthejmë në rrugë të qëndrueshme ne do ti shuajmë brengat e së shkuarës, do ti zhbëjmë vështirësitë. Jini të bindur, kini besim se do heqim të gjitha pengesat që një djalë me kombësi shqiptare të ndjehet i barabartë me çdo evropian pavarësisht ku jeton. Nuk është detyrim politik por kushtetues, bazuar në Kushtetutë që qeveria e Shqipërisë dhe cilido qoftë kryeministër të mos e harrojë se liria dhe të drejt e çdo shqiptari kudo që jeton janë të paprekshëm dhe duhet ti mbrojë pavarësisht pengesave. Unë dua që sot të nënvizoj se është një kohë e re, të jemi të vetëdijshëm, të punojmë me njëri-tjetrin për tu sjellë ashtu siç i ka hije kësaj kohe të re, kush ka të vështirë të ndahet nga e shkuara nuk jemi ne, ne duam të jemi evropianët e rinj të këtij rajoni, i ka ardhur koha të bashkohet përfundimisht me Europën”. 

 

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE