Ardhja e kryeministrit Edi Rama në Shkodër nuk ka qenë vetëm për inspektimin e stadiumit “Loro Boriçi” dhe debatet me kryebashkiaken Voltana Ademi.

Kreu i qeverisë shoqërohej nga një sërë deputetësh mes të cilëve edhe një pjesë e deputetëve të qarkut Shkodër. Gjatë vizitës së tij në Shkodër mësohet se tashmë kanë nisur edhe disa lëvizje politike në rang drejtorësh rajonal. I pari që ka dhënë dorëheqjen është drejtori i hidrocentralit të Vau Dejësit Kujtim Prroni. Qëndronte në atë post prej kohësh e madje ishte edhe një prej eksponentëve kryesor të partisë socialiste të Shkodrës gjatë procesit të zgjedhjeve për delegatët e kongresit apo edhe të referendumit që u bë për kreun e përgjithshëm të PS. Megjithatë Prroni ka dhënë dorëheqjen duke deklaruar përmes telefonit se është larguar për çështje personale dhe familjare. Gjatë ditëve në vijim burime pranë partisë socialiste bëjnë me dije se mund të ketë edhe lëvizje të tjera në rang drejtorësh. Nga sa bëhet e ditur kryeministri Rama ka shfrytëzuar ardhjen e tij në Shkodër për të diskutuar edhe mbi çështje të partisë socialiste në Shkodër. Edhe pse nuk ka qenë në selinë e PS, Rama ka patur mundësinë që të mbledh disa prej drejtuesve dhe eksponentëve kryesor socialist për të biseduar. Natyrisht që përveç problemeve të brendshme që ka PS-ja e Shkodrës më e rëndësishme është parapërgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 2017-ën nga ku nuk përjashtohen surpriza për listën e deputetëve të Shkodrës.