Kabineti qeveritar sot ka zbarkuar në qytetin e Durrësit. Pas mbledhjes, kryeministri Edi Rama në një komunikim për mediat bëri të ditur vendimet e qeverisë, ku ndër të tjera theksoi rritjen e pensioneve me 2.8 %.

Rama: Sot në këtë mbledhje kemi bërë një hap tjetër shumë të vogël, por jo të pandjeshëm për 665 mijë pensionistë. Kemi rritur pensionet mbi inflacionin. Nëse do ti referoheshim shifrave kemi vendosur 15 mln dollarë plus në atë paketën e pensioneve me 2.8%. Duke nisur nga data 1 korrik.

Për shëndetësinë, Rama tha se është marrë një vendim i rëndësishëm në përditësimin e listës së barnave dhe mjekimeve në spitale dhe qendra shëndetësore.

Rama: Kemi marrë një tjetër vendim të rëndësishëm për përditësimin e listës së barnave dhe mjekimeve të spitaleve dhe qendrave shëndetësore të vendit, që do tu japë mundësi tani spitaleve që të ecin me hapin e kohës dhe të ofrojnë trajtimin më të mirë të mundshëm sot për një numër sëmundjesh të rrezikshme, kur them më të mirë të mundshëm bazuar në standardet europiane.

Ky vendim vjen pak javë pas publikimit të listës së re të barnave të rimbursueshme kur për herë të parë kemi përfshirë herceptinën, një medikamenti shumë i shtrenjtë por i jetik për trajtimin e kancerin e gjirit që tani përfitohet falas në spitalet shtetërore.

Përfshimë për herë të parë edhe mbi 40 medikamente të tjera të domosdoshme dhe një valë keqkuptimesh apo keqinformimi që u krijua në fillim, tani po tretet ndërkohë që do të rritet përfitueshmëria e njerëzve në nevojë për mjekim.

Duke folur për infrastrukturën, shefi i qeverisë tha se të dielën e javës që vjen do të nisë puna për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”, ndërsa theksoi se ky mandat do të jetë mandati i Shqipërisë kantier ndërtimi.

Rama: Jo më larg sesa të dielën e ardhshme, do hapet kantieri i parë i madh i programit tonë 1 mld për rindërtim, i cili do të përmirësohet nga të tjera kantiere dhe do të realizohet ajo që kemi thënë në fushatën e kaluar.

Ky mandat do të jetë mandati i Shqipërisë kantier ndërtimi në infrastrukturën rrugore, por jo kantierë ndërtimi me shirita dhe me rrugë që mbeten rrugëve duke lënë pas një mal me borxhe mes qeverisë dhe përfundimit por me rrugë të standardeve ndërkombëtare europiane. Kështu

do të jetë Rruga e Arbrit, kështu do të jetë rruga Thumanë-Kashar, rruga Balldren-Milot, Shëngjin-Velipojë, Delvinë-Kardhiq, By passi i ri i Tepelenës, kështu do të jetë rruga e re e Orikumit, Unaza e Re e Myzeqesë, Rruga e Thethit, rruga Fier-Seman dhe një sërë aksesh të tjera.

Për aeroportin e Vlorës, Rama tha se janë në fund të finalizimit të negociatave.

Rama: Jemi në finalizimin e negociatave për aeroportin e Vlorës. Shpresojmë që të konkludojmë. Kemi bërë kundërofertën e fundit sipas nesh, të shohim si do reagojë pala tjetër për të marrë një kontratë që mbron deri në fund interesin publik në raport me këtë vepër të madhe që do të kryehet nga një konsorcium i mirënjohur ndërkombëtar që ndërton edhe aeroportin e tretë të Stambollit që në përfundim do të jetë aeroporti më i madh i botës.