E ndërsa ironizon Lulzim Bashën dhe Berishën, kryeministri thotë se Paketa Antishpifje do të jetë e vetmja mënyrë që ky karagjozllëk i madh politik e mediatik të mos kthehet në një normalitet të turpshëm.

Opozita vijoi sot sërish me akuzat në drejtim të shumicës si e implikuar në rastin e Xhisiela Malokut. Deputeti i PD, Alibeaj përmes një deklarate për mediat u shpreh sot se drejtori i policisë në Durrës, fshiu pamjet filmike ku dukej Taulant Balla në komisariat e Krujës më 21 korrik 2018.

Por pas akuzave nga PD kundër Ballës, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili pasi ironizon Berishën dhe Bashën deklaron se Paketa Antishpifje do të jetë e vetmja mënyrë që sipas tij ky ‘karagjozllëk i madh politik e mediatik të mos kthehet në një normalitet të turpshëm’.

Nëse Taulant Balla ka qenë në komisariat me armë, Lulzim Basha ka qenë në pushtet me votë dhe Saliu ka qenë në Hollivud për të luajtur Pretty Woman. Paketa Antishpifje e vetmja mënyrë që ky karagjozllëk i madh politik e mediatik të mos kthehet në një normalitet të turpshëm

Por pak minuta pas statusit të Ramës i është përgjigjur kryedemokrati po nga rrjetet sociale. Për Bashën, propozim i Ramës është avaz i vjetër sa herë që kapet mat, ndërsa zgjidhja sipas tij është vettingu i politikëve.

Avaz i vjetër i kryekaragjozit sa herë kapet mat. Siç mbronte Roshin, po mbron sot Ballën. Vetingu i politikanëve do ta pastrojë këtë llum dhe do t’ju kthejë qeverinë njerëzve!

Shefi i qeverisë e artikuloi për herë të parë paketën antishpifje mbrëmjen e djeshme, por pa dhënë detaje mbi nismën. Rasti i Xhisiela Malokut ka qenë kryefjala e javës së fundit në politikën shqiptare me akuza dhe kundër akuza të shumta mes shumicës dhe opozitës.

Historia nisi pas denoncimit të ish-oficerit Emiljano Nuhu, i cili u arratis duke kërkuar azil në Zvicër, vajza mohoi se u dhuna nga djali i deputetit, ndërsa ky i fundit është arrestuar për përndjekje.