Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ministrave dhe deputetëve të tij të mos dalin në asnjë debat televiziv me deputetët e opozitës, të cilët tashmë kanë hequr dorë nga mandatet e tyre pas vendimit të opozitës së bashkuar.

Shqiptarja.com mëson ekskluzivisht se me djegien e mandateve të opozitës, ka ndryshuar edhe strategjia e komunikimit nga ana e mazhorancës.

Kreu i qeverisë Edi Rama u ka përcjellë të gjithë ministrave dhe deputetëve porosinë për të mos dalë më në asnjë studio televizive me të ikurit.

“Ata s’janë më pala tjetër e parlamentit, po një grusht politikanësh pa norma, që meritojnë përbuzjen e votuesve të tyre dhe refuzimin tonë për të debatuar me ta jashtë parlamentit”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë një mbledhjeje me bashkëpunëtorët më të ngushtë.

“Për sharjet e shpifjet e tyre ata s’kanë nevojë për ne dhe kështu kontribuojmë kundër ndotjes së mjedisit publik, me debate shterpë pa asnjë vlerë”, ka argumentuar kryesocialisti.

Edhe vetë brenda opozitës pati deputetë që dolën kundër këtij vendimi, sic është Lefter koka nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Mylsim Murrizi nga Partia Demokratike, që nuk i dogjën mandatet e tyre të deputetit.

Opozita shqiptare ka nisur një valë protestash kundër qeverisë me synimin sipas tyre për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama, qeveri tranzitore dhe më tej zgjedhje të parakohshme

Artikulli paraprakSHKODËR, VLLAZNIA FITON 2-0 NDAJ ILIRISË
Artikulli tjetërI RIU SHQIPTAR KAPET DUKE TRANSPORTUAR 9 KG DROGË ME MOTOR