Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin për Teatrin Kombëtar i cili do ndërtohet mbi rrënojat e atij ekzistues.

Përpara aktorëve Rama tha se do t’i japë vendin Teatrin e merituar me trefishin e sipërfaqes së teatrit të vjetër.

“Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’dio kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë

Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarëisht se sipër do ketë hapësirë teatrale ne qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët.

Turbina do shërbejë derisa teatri të ndërtohet, por do jetë aty edhe pasi teatri të ndërtohet, sepse do kemi më shumë shfaqje teatrale. Ne do hartojmë projektligjin dhe ky projekt do bëhet me ligj të veçantë nga Parlamenti i Shqipërisë.

Ne kemi bërë për teatrin aq sa pasur mundësi, por kemi bërë më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku. Sipërfaqja e teatrit të ri do jetë trefishi i asaj ekzistuese, nga 3 mijë m2 rrënoja në 9 mijë m2 hapësirë për teatër. Do ketë një sallë të re të hapuir mbi teatrin me mbi 100 vende, do jenë dhe dy salla black box me nga 100 vende secila”.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi debatin mbi Teatrin Kombëtar si të përsëritur me ndryshimin e vetëm se jeta bën të vetën dhe ata ndahen nga jeta, por zëvendësohen nga të tjerë.

Rama tha se debati për Teatrin ka nisur shekullin e kaluar me Violeta Manushin, por nuk jam përfshirë më në debatet me artistët që duan të ruajnë godinën.
Rama tha se Teatri Kombëtar do të shembet, duke shtuar se ai ngjan me një teatër komune dhe jo me një Teatër Kombëtar.

“Nuk i kishin kushtet në 4 vitet e para të qeverisë, ndërsa sot janë krijuar kushtet për ti dhënë vendit teatrit e shumëmerituar kombëtar. Do të ketë një partneritet mes qeverisë, bashkisë dhe privatëve.

U munduam të mbajmë në jetë godinën aktuale të Teatrit Kombëtar, njëlloj si ato medikamentet që mbajnë në jetë një të sëmurë në koma”, tha Rama, duke shtuar se kjo godinë ishte jashtë çdo standardi.

Sipas Kryeministrit, Turbina nuk është zëvëndësuesja e përhershme e Teatrit Kombëtar, por është një alternativë deri sa godina e re të përfundojë.

Rama tha se projekti i Teatrit Kombëtar do të prezantohet nga një prej arkitektëve më në zë të arkitekturës moderne, i cili është rikthyer në Shqipëri jo se ka nevojë për punë.

Kryeministri tha se nga 3 mijë metra katror që sot kemi në dispozicion, nesër do të keni në dispozicion 9 mijë metra katror, nga 1 sallë që kemi sot nesër do të kemi 4 të tilla, do të kemi një shumëfishim të hapësirës për artistët, salla kryesore nga 480 vende, do të ketë 620 poltrone, do të ketë një sallë të re të hapur mbi teatër me mbi 100 vende dhe do të ketë edhe dy salla black box me nga 100 vende secila.

“Do të kemi një teatër 3-fishin e atij që kemi sot dhe me një sistem të tërë infrastrukture për të cilën nuk e kemi sot. Dhe natyrisht që do të kemi edhe historinë e yjeve në këtë teatër, të yjeve të shuar dhe të pashuar”, tha Rama.

Kryeministri pati një mesazh për aktorët dhe artistët që kanë kundërshtuar dhe protestuar kundër shembjes së godinës.

“Godina do të shembet nuk keni çfarë ti bëni, mendoni si të shkëlqeni dhe të jeni pjesë e historisë së yjeve në Teatrin Kombëtar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kompania që do të bëjë Teatrin Kombëtar do ia dorëzojë shtetit si pronë publike, ndërsa në pjesën tjetër kompania do të vijojë projektet që parashikohet në qendërn e re moderne.