Protestat e opozitës që kërkojnë dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të parakohshme, Edi Rama i quan përpjekje të dëshpëruara.

Në një intervistë për televizionin publik italian, Rai, kryeministri thotë se opozita po tenton t’i shpëtojë reformës në drejtësi.

“Kjo këtu nuk është protestë e popullit, kjo është një protestë e një pushteti të mundur keq dhe që ka arsyet e tij për të protestuar, sepse nga njëra anë ata janë të dëshpëruar se nuk mund të fitojnë, kemi zgjedhjet për pak muaj dhe ata nuk kanë asnjë shans.

Nga ana tjetër, janë të shqetësuar për reformën thelbësore të drejtësisë që ne kemi ndërmarrë me KE dhe më mbështetjen e SHBA-ve, që po nxjerr jashtë pallatit të drejtësisë të gjithë shefat e mëdhenj të një sistemi që ka garantuar pandëshkueshmërinë për politikanët dhe për këta këtu.

I palëkundur për vijueshmërinë e parlamentit, Rama përsërit se do të përfaqësojë edhe elektoratin e lënë “jetim” nga djegia e mandateve. “Ne kemi shumicën, jemi përpara në të gjitha sondazhet në mënyrë shembullore.

Nuk mund të merret peng një komunitet dhe të thuash unë po bëj kamikazin nëse nuk me jepni atë që dua. Jemi gjithmonë gati të dialogojmë, jemi gati të dëgjojmë, por sigurisht duhet të qeverisim”.

Në një tjetër interviste për “La Repubblica”, kryeministri i quan protestat “tirani të pakicës”. “Për demokracinë parlamentare sigurisht që nuk është një gjë e mirë, por teknikisht mund të shohim përpara. Nuk ka problem”.

Kërkesës së opozitës për një qeveri teknike Rama i përgjigjet: “Në politikë kurrë mos thuaj kurrë, por nuk më duket një zgjidhje që mund të funksionojë. Ata kanë hequr dorë nga mandatet…”