Gjatë një takimi me mësuesit, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria po mendon hartimin e një sistemi të ri të vlerësimit të tyre.

Ai u shpreh se ajo mund të jetë e gatshme për sezonin tjetër, si dhe për të gjithë mësuesit më të mirë, do të ketë dhe rritje të pagave.

“Përzgjodhëm mësueset më të mira në të gjithë Shqipërinë. Më vjen mirë që sot ne e kemi përmbyllur këtë përpjekje të madhe. Jemi në gjendje që ët ofrojmë një rrugë alternative mësimi sidomos në kushtet e sotme ku procesi mësimor është i sfiduar nga koronavirusi e përpjekjet për të mbrojtur shëndetin.

E dimë që me hapjen rritet dhe mundësia për shtimin e të infektuarve. Opsioni i mbylljes së mëtejshëm të shkollave ishte opsion më i keq dhe do të shkaktonte kosto tjetër psikologjike për fëmijët me pasoja që ne nuk i llogarisim dot.

Mendoj që kanali ka një vlerë të madhe jo vetëm për shkak të kësaj situate por ka një vlerë të madhe në mundësinë që i jepet çdo nxënësi në Shqipëri që të bëjë një verifikim të dyfishtë të mësimit që ka marrë e ta ndjekë mësimin dhe me një mësuese tjetër. Kjo do të sfidojë mësuesit e tjerë që në japin mësim në shkolla.

Ky është drejtimi i parë që kanali do të sjellë dobi të madhe. Me këtë kanal ne do të lehtësojmë barrën e familjeve në zonat më të thella. Vetë sistemi nën drejtimin e ministrisë do të fillojë të adaptohet duke ndarë mësimin e lëndëve të caktuara në televizion dhe aktiviteteve të tjera në shkollë.

Televizioni apo ekrani i kompjuterit nuk e zëvendëson marrëdhënien e mësimdhënies në realitetin e prekshëm me mësuesin. Kjo nuk është diçka që e bëjmë thjesht ne. Kjo është përpjekje e njëjtë si vendet e tjera. Ata kanë shtuar shumë forcat që ta ofrojnë mësimin jo vetëm online por edhe nëpërmjet televizionit. Ne na jep një frymëmarrje të re në procesin e mësimdhënies. Do të jetë. Do të shihen mundësitë për ta çuar më tutje këtë kanal.

Është një sfidë e tmerrshme që kjo ka. Kur kemi parasysh moshat dhe atyre fëmijëve më të vegjël tu imponojmë të kundërtën me ato se çfarë i kemi mësuar deri tani që të socializohen me miqtë.

Tani duhet tu themi që të mos takohen me njëri-tjetrin. Është një sfidë psikologjike për mësuesit vetë. Nuk është një eksperiment javor. Është një mënyrë e re e të komunikuarit në shkolla. Janë mësuesit që duhet ta implementojnë vetë këtë. Duhet që ata vetë mos t’i shkelin rregullat e higjienës dhe distancimit social.

Po mendojmë për një sistem të vlerësimit të mësuesve që po e analizojmë dhe nga viti i ardhshëm shkollor ku mësuesit më të mirë do të duhet të vlerësohen financiarisht ndryshe. Për të gjithë mësuesit duam që të bëjmë ashtu si dhe mjekëve të rriten pagat” – tha Rama.