Ministri i Jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier, në takimin me kryeministrin Edi Rama përsëriti domosdoshmërinë e miratimit të reformës në drejtësi për të çelur dyert e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Steinmeier tha se Shqipëria është në fazë vendimtare dhe i bëri thirrje partive politike të gjejnë gjuhën e përbashkët për reformën. Vetë kryeministri Edi Rama e quajti vizitë historike në një moment historik. Rama i bëri thirrje opozitës të bashkohet për draftin që siç tha ai nuk është hartuar në selinë e PS-së apo të qeverisë por në bashkëveprim me ndërkombëtarët. Edi Rama: “Vizita është në një moment historik për një reformë historike, që duke kaluar me sukses në parlament do çelë rrugën e negociatave. Jam i gëzuar që edhe ministri sot në mënyrë të paekuivoke nënvizoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë që opozita të bëjë hapat e veta për t’iu bashkuar një drafti që nuk është prodhuar në selinë e PS, në qeveri apo në selinë e koalicionit tonë por është produkt i një bashkëpunimi me ndërkombëtarët dhe ku Gjermania ka pasur që në fillim një vëmendje dhe ka ndjekur procesin me kujdes të veçantë”. Steinmeier: “Shqipëria është në gojën e të gjithë gjermanëve për shkak dhe të golit të shënuar nga një shqiptar. Do të doja të përsërisja atë çka thashë në konferencë. Ne ndjekim me interes reformat që janë zhvilluar në sektorin ekonomik. Më tepër interes do të kishim që Shqipëria të gjejë rrugët e veta për krijimin e një sistemi sa më demokratik dhe pikë kyçe është lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi. Nuk është hera e parë që diskutohet për një tematikë kaq të rëndësishme. Jemi në fazë vendimtare. KE do të shqyrtojë raportin dhe reforma në drejtësi luan një rol pozitiv. Jemi në fazën e një dritareje të hapur të mundësive të dhëna, shpresoj që partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët sa i takon përmbushjes së kritereve të KE. Jemi në një pikë ku Shqipëria s’ka qenë kurrë më parë. Shpresoj që forcat politikë të gjejnë kurajon të marrin vendimet e duhura në këtë proces. Duhet dhe mbështetja e opozitës. Është në interes që kjo reformë të përmbyllet në funksion të luftës kundër Korrupsionit”.

Artikulli paraprakORATORI DON BOSKO, HAPEN LOJRAT VERORE
Artikulli tjetër“EURO 2016”, RUSIA GJOBITET ME 150 MIJË EURO NGA UEFA, MERR PARALJMËRIM PËR PËRJASHTIM